Marine Le Pen, udhëheqësja e partisë franceze Fronti Nacional, hapi zyrtarisht fushatën e saj elektorale për Presidencën me një fjalim, në të cilin sulmoi globalizimin dhe foli për rreziqet e emigracionit.

Gjatë një mitingu në Lion, Le Pen deklaroi se është ajo që dëshiron kthimin e frangës, largimin e Francës nga NATO dhe gjithashtu premtoi një referendum për qëndrimin në Bashkimin Europian.

Advertisement

“Në këto zgjedhje do të votoni nëse Franca mund të jetë një komb i lirë apo jo. Ndarja nuk është më mes të majtës dhe të djathtës, por mes patriotëve dhe globalistëve”, tha Marine Le Pen, kandidate për presidente.

Le Pen premtoi se do të mbrojë traditat franceze dhe karakterin kombëtar, që sipas saj po sulmohen nga emigrantët që kanë përmbytur kombin. Ajo tha se emigrantët duan të ndryshojnë laicitetin e Francës, të imponojnë traditat e tyre, sidomos duke këmbëngulur për praktika fetare në vendet e punës.

“Ata që erdhën këtu, erdhën për të gjetur Francën, jo për ta shndërruar në vendin e tyre të origjinës. Nëse duan këtë, të qëndrojnë në vendin e tyre. Në Francë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë ligj apo vlerë tjetër, veç atyre franceze”, tha Marine Le Pen.

Le Pen është një prej kandidatëve kryesorë për Presidencën dhe mundësitë e saj janë shtuar ndjeshëm, pas skandalit që goditi kandidatin republikan François Fillon. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë do të zhvillohet më 23 prill dhe, nëse asnjë nga kandidatët nuk arrin më shumë se 50% të votave, do të pasohen nga balotazhi i 7 majit.