Policia e Shtetit ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme operacionin “Blici Rrugor”, i shtrirë në 12 qarqet e vendit, në akset kryesore dhe zonat urbane.

Aksioni për vendosjen e rripit të sigurimit dhe mos përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit. Operacioni nisi në orën 13:00 dhe zgjati deri në orën 14:00 ku u angazhuan rreth 760 punonjës Policie në total si dhe u ngritën dhe funksionuan 150 pika kontrolli në të gjithë vendin.

Advertisement

Prej orës 13:00 deri në orën 14:00 në të gjithë vendin, nga Policia Rrugore e mbështetur dhe nga Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat, janë ndëshkuar me masë administrative: 268 qytetarë për mosvendosje të rripit të sigurimit, (drejtues mjetesh e pasagjerë); 184 drejtues mjetesh për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit; si dhe 158 (drejtues mjetesh) për shkelje të tjera, si shpejtësi tej normave të lejuara, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse etj.

Operacioni ka për qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e vendosjes së rripit të sigurimit, për mos përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, por edhe të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor në tërësi.

Blici Rrugor do të vijojë përditë në të gjithë vendin, deklaron Policia e Shtetit.