Makthi i tribunës për Sokol Çikalleshin merr fund. Sulmuesi shqiptar ka ndryshuar skuadër në ditën e fundit të merkatos së janarit. Ai është transferuar në formë huazimi nga skuadra e Bashakshehirit tek Akhisar Beledijespor.
Njësoj si skuadra që zotëron kartonin e tij, edhe Akhisari luan në Super Ligën turke, por ndryshe nga Bashakshehiri që lufton për titullin kampion, ekipi i ri i Çikalleshit lufton për mbijetesë. Pas 19 javësh kampionat, Akhisari ka grumbulluar 21 pikë dhe renditet në vendin e 13, 4 pikë para vendit të 16 që të rrëzon në një kategori më poshtë.
Ky transferim erdhi si zgjidhja e vetme për Çikalleshin pasi Bashakshehiri afroi në skuadër sulmuesin e njohur togolez, Emanuel Adebajor. Ish-sulmuesi i Arsenalit, Mançester Sitit dhe Totenhemit në Angli firmosi një kontratë 18 mujore dhe pritet të jetë një futbollist shumë i rëndësishëm për skuadrën e Stambollit në luftën për të fituar titullin kampion.