Në një bashkëbisedim me mediat, kreu i Kuvendit Ilir Meta ka folur për shumë çështje. Nga koalicioni me PS-në, te kritikat ndaj ministrit Tahiri.
Koalicioni PS-LSI
Sa i takon marrëdhënieve të koalicionit dhe marrëveshjes PS-LSI në 2013, Meta nënvizoi se është i gatshëm të dalë menjëherë në opozitë nëse kryeministri Rama konfirmon 71 vota në zgjedhjet e qershorit që vjen: “Kjo është një çështje e një përgjegjësie që buron nga detyrimi ynë për koalicionin parazgjedhor dhe votat që morëm në qershor 2013 për të bashkëqeverisur me PS në bazë të një marrëveshjeje dhe platforme në Shkodër. LSI dhe unë, i kanë qëndruar pikë për pikë kësaj marrëveshjeje. Kur ka pasur raste që përfaqësues tanët kanë pasur kritika, kuptohet që LSI ka reflektuar, – shpjegoi Meta. – Nëse Rama në 19 qershor konfirmon me koalicionet e tij 71 mandate, LSI do jetë në opozitë. Nëse PS dhe PD bashkojnë mandatet e tyre dhe dalin me 71 deputetë, LSI del menjëherë në opozitë. LSI nuk është parti klienteliste, nuk jemi shtojcë e askujt”.
Asnjë presion nga PS-PD
A ishit vënë në dijeni për akuzat e Manjanit që i quante fakte dhe ju i besoni ato. Që prej fillimit të koalicionit është parë si një betejë force. Pranimi i kërkesës së Ramës a ishte dorëzim i Ilir Metës përballë tij?
“Ilir Meta në 2008, 2009 dhe LSI edhe pse forca të reja kur Rama e Berisha u bashkuan për të bërë ndryshimet kushtetuese ku synonin eliminimin e LSI, Meta s’u dorëzua ndaj dy partive së bashku që ishin shumë të mëdha. Pas 2009 u bë faktor stabiliteti edhe pse në një koalicion të vështirë, të paparashikueshëm dhe të padëshirueshëm. Nuk e di si do të kishin vajtur gjërat në Shqipëri nëse LSI nuk do të bënte atë zgjidhje të mençur, – përgjigjet kryeparlamentari. – Ilir Meta nuk dorëzohet para asnjë lloj presion as nga zoti Rama, as nga zoti Berisha, nga Basha jo e jo dhe as nga brenda LSI”.
Akuzat e Kokës dhe kanabisi
Sa i takon akuzave të përfaqësuesve të LSI-së drejt ministrit Tahiri, Meta tha se ato kanë qenë të arsyeshme: “Shqetësimet e Lefter Kokës kanë qenë të arsyeshme”. Kreu i LSI-së i bëri thirrje institucioneve ligjore, shërbimeve dhe para së gjithash Policisë së Shtetit për të parandaluar fenomenin e kultivimit të drogës në vitin që vjen.
“Duhet të nisë puna për të parandaluar mbjelljen e kanabisit për vitin e ardhshëm. Nuk duhet të shohim më polic duke korrur kanabis. Policia së bashku me shërbimet e SHISH të nisin punën dhe të jepet një mesazh i fortë parandalues dhe këtë fuqi shteti duhet ta nisë menjëherë pa u shfajësuar apo mburrur në televizion. Ky është një fenomen kriminal që dëmton imazhin e vendit, një fenomen që duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë për zbatimin e shtetit ligjit në vend”.
Reforma Zgjedhore
Ai ka theksuar se çështja më e rëndësishme politike në vend është reforma zgjedhore. Ai tha se mos arritja e një dakordësie për këtë proces është kohë e humbur dhe kthim prapa për vendin. “Çështja e zgjedhjeve nuk pret më, kjo është një çështje serioze. Ne jemi gati që të diskutojmë edhe një herë reformën zgjedhore dhe të diskutojmë të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR për çështjet e ngritura nga partitë që garantojnë transparcnën për këtë qeveri. Kjo është çështja më e rëndësishme. Reforma zgjedhore duhej të ishte mbyllur me kohë”, – tha Meta.
Shkarkimi i Manjanit
Meta më pas iu shmang pyetjeve mbi shkarkimin e Manjanit, duke thënë se për këtë gjë janë përgjigjur përfaqësuesit e partisë së tij: “Për Manjanin ka folur LSI dy herë, Erisa Xhixho dhe Luan Rama. Mendoj se duhet të përqendrohemi te problemet më të rëndësishme që ka vendi dhe të gjithë së bashku të hedhim më pak shashka se njerëzit janë të lodhur. Çdo ministër, deputet, apo qytetar që ka fakte për implikimin e çdo politikani se ka lidhje me krimin e organizuar, duhet të ndjekë rrugët e drejtësisë”.