Më shumë se 135 persona, një pjesë e të cilëve janë fëmijë, e kanë kaluar natën në qendrat sociale të Bashkisë Tiranë, ku veç strehimit kanë marrë dhe ndihmën e nevojshme në ushqime dhe veshje, duke i bërë kështu ballë të ftohtit të acartë që ka prekur edhe Tiranën.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shërbeu sot mëngjesin për rreth 40 prej tyre të strehuar në Qendrën Sociale në Laprakë, ku ofrohet ndihmë për të gjithë të pastrehët që e kaluan natën në një ambient të ngrohtë. Veliaj falenderoi shërbimet sociale, por edhe të gjithë ata qytetarë dhe biznese që i janë përgjigjur thirrjes për t’i ardhur në ndihmë individëve që në këto ditë të ftohta janë në nevojë.

Advertisement

Ai gjithashtu vlerësoi angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore që kanë bërë të mundur që këtë emergjencë deri më tani ta përballojnë me sukses. Po ashtu, ai  kërkoi edhe një herë bashkëpunimin e qytetarëve, sidomos atyre që kanë familjarë në gjendje rruge, që në këto ditë të ftohta të tregohen më njerëzor dhe t’i ndihmojnë për të shmangur çdo fatkeqësi, pasi nata e sotme parashikohet që të jetë edhe më e ftohtë.

Veliaj i ka bërë thirrje edhe atyre bizneseve që kanë mundësi të ndihmojnë, të shkojnë pranë qendrave sociale të Bashkisë Tiranë dhe të ofrojnë ç’të munden për personat e strehuar në to. Ai shtoi se Bashkia ka rritur numrin e qendrave pritëse nga 4 në 7, ndërsa është e përgatitur që të përballojë çdo fluks që mund të vije.

Drejtoresha e Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale në Bashkinë e Tiranës, Anisa Ruseti, theksoi se veç qendrave sociale janë vënë në dispozicion të atyre që po përballen me të ftohtin edhe njësitë administrative dhe një palestër.