Gripi është në kulmin e tij në vendin tonë. Numri i të prekurve është rritur dita-ditës dhe tashmë ka arritur shifra të frikshme.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, 19 000 persona janë prekur nga gripi aktualisht, ndërkohë që 8 persona janë në gjendje të rëndë dhe 2 të tjerë kanë ndërruar jetë, të konfirmuar pasi kanë qenë të sëmurë me sëmundje të tjera dhe gjendja gripale ua ka vështirësuar gjendjen duke i çuar drejt vdekjes.

Advertisement

ISHP njofton se ka vaksinuar të gjithë punonjësit e vet në qendrat shëndetësore.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, viktimat janë: M.K., mashkull, 70 vjeç, banues në Tiranë, shtruar më datë 31 dhjetor 2016, në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” me SPOK (Sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike) të riakutizuar, insuficencë respiratore dhe status gripalis, i cili ka ndërruar jetë më datë 2 janar 2017 dhe A.N., mashkull, 71 vjeç, banues në Tiranë, shtruar më datë 3 janar 2017, po në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, me sëmundje kardiovaskulare dhe insuficiencë respiratore, i cili ka ndërruar jetë po atë ditë.

Simptomat e virusit të tipit A, i cili paraqitet me temperaturë të lartë, dhembje koke e trupi mund të zgjasin nga tre deri në pesë ditë.