Reagon reperi: Janë deklarime të pabaza, shpifje dhe diskriminim ndaj meje

Mediat shqiptare ditën e sotme kanë shkruar mbi shpalljen në kërkim të reperit të njohur Arkimed Lushaj ose siç njihet me emrin e artit, Stresi.

Sipas tyre thuhej se reperi  bashkë me një mikun e tij kanë publikuar në rrjete sociale një video duke gjuajtur në ajër me armë zjarri gjahu, të tipit “Shotgun”, në një ambient publik. Videoja, sipas tyre, është publikuar në rrjete sociale në datën 05.01.2017.

Advertisement

Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi ka qenë Stresi ai që ka reaguar duke i quajtur shpifje nga ana e mediave.

Në një postim në faqen e tij të Instagram-it, reperi i njohur ka denoncuar disa nga televizionet shqiptare me akuzën e shpifjes dhe diskriminimit të imazhit.

“Denoncojmë këto televizione për shpifje dhe diskriminim të imazhit tonë dhe u kërkojmë menjëherë të heqin ato deklarime të pabaza ndaj nesh. Asgjë s’është e vërtetë. A keni turp apo s’keni? Jeni dhe televizion serioz!  Të gjithë do të përballeni”,- shkruan Stresi në Instagram.

Kujtojmë se reperi i njohur ka pasur edhe më parë probleme me policinë. Më herët ai është arrestuar për armëmbajtje pa leje.

Megjithatë, lajmi i shpalljes në kërkim të personit me iniciale A.L. (i dënuar më parë)  është bërë nga policia e Tiranës, siç shihet dhe në portalin zyrtar të policisë.  Në deklaratën e policisë thuhet:

“Sekuestrohet arma e zjarrit.

Më datë 05.01.2017, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë referuar materialet proceduriale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe po punojnë për kapjen e shtetasve:

– A. L., 29 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.

– E. L., 21 vjeç, banues në Tiranë.

Këta shtetas, më datë 05.01.2017, kanë publikuar në rrjete sociale një video duke gjuajtur në ajër me armë zjarri gjahu, të tipit “Shotgun”, në një ambient publik.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur më datë 31.12.2016, si dhe po kryhen veprime administrative për heqjen e lejes për mbajtje arme gjahu ndaj shtetasit S.L., 61 vjeç, banues në Tiranë.

Është bërë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i:

  • një armë zjarri gjuetie, tip “Shotgun”;
  • një automjeti tip “Audi”.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prishje e qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Nenet 280, 274 e 25 të Kodit Penal”.