Pol Klement ka lënë detyrën e zëvendëstrajnerit të Bajernit të Mynihut për të marrë drejtimin e Suonsit në Premier Ligën angleze. 44-vjeçari zë vendin e amerikanit Bob Bredli, i cili pas 11javësh në krye e la ekipin uellsian në vendin e fundit të renditjes.
Klement ishte krahu i djathtë i Karlo Ançelotit që kur ky i fundit u ul në stolin e Bajernit verën e shkuar. Me italianin, 44-vjeçari anglez ka punuar edhe te Çelsi, PSG-ja e Reali i Madridit.
Ai bëhet trajneri i katërt i Suonsit këtë sezon, pas Françesko Guidolinit, Bob Bredlit dhe Alan Kërtisit, i cili e udhëhoqi ekipin në humbjen e së shtunës 3-0 ndaj Bornmëthit në shtëpi. Prova e parë e teknikut të ri do të jetë sonte në transfertën përballë Kristal Palasit.