Drejtori i Policisë Rrugore,  Ardi Veliu, përmes një deklarate për mediat lajmëron zonat nga ku duhet kaluar me vështirësi për shkak të ngricave dhe rreshjeve të dëborës.

“Në vijim të masave të marra për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, thirrjeve të vazhdueshme për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe  nisur nga situata e fundit sinoptike, Drejtoria e Policise Rrugore ka marrë një sërë masash shtesë për të parandaluar aksidentet rrugore”,- tha Veliu.

Advertisement

Sipas tij, si pasojë e reshjeve të dëborës në Qarkun Kukës, Dibër, Shkodër, Lezhë, Elbasan dhe Korçë,  trashësia e  dëborës varion nga  20 deri në 40 centimetra.

“Në Qarkun Dibër  në të gjithë akset rrugore nacionale dhe rurale   qarkullimi  kryhet me zinxhirë. Në qarkun Kukës të gjithë akset rrugore kanë prezencë dëbore dhe qarkullimi kryhet me zinxhirë. Në disa akse rrugore rurale të qarkut  Shkodër, si Bardhet-Iballë, Qafë Qarri–Qelëz, janë të bllokuara pasi trashësia e dëborës arrin deri në 50 centimetra. Rruga e Kombit, këshillohet që qarkullimi të kryhet me zinxhirë,   të mos qarkullojnë me shpejtësi dhe të eleminojnë parakalimet”,- tha Veliu.

“Në disa segmente rrugore në qarkun Gjirokaster, Elbasan dhe Berat, konsatohet se ka prezencë akulli, në këtë kuadër këshillojmë të gjithë drejtuesit e automjeteve  të tregohen të vëmendshëm, të përdorin zinxhirë  dhe të eleminojnë shpejtësinë. Gjithashtu, ju bëjmë thirrje drejtueve të automjeteve dhe këmbësorëve të respektojnë normat e sjelljes në rrugë, eleminojnë shpejtësitë, përdorimin e  celularit, të vendosin rripin e sigurimit, të  mos përdorin alkool gjatë drejtimit të automjetit, këmbësorët të përdorin mbikalimet, vizat e bardha dhe të mos kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën”,- vijoi Drejtori Policisë Rrugore, i cili mbylli deklaratën duke nënvizuar se, “Policia Rrugore ka marrë masa që në të gjithë akset rrugore të mësipërme, të planizojë shërbime gjatë 24-orëve, duke u mbështetur edhe nga Patrullat e Përgjithshme. Për çdo problematikë, drejtuesit e automjeteve të telefonojnë në numrin  pa pagesë 112 e 129”.