Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar mbylljen e shkollave të arsimit parauniversitar si edhe të çerdheve dhe kopshteve në datat 4, 5, 6 dhe 7 Janar 2017.
Shkaku i këtij urdhëri ka qenë situata e pazakontë e përhapjes së gripit në vendin tonë, dhe rrezikut që ai të përhapet edhe më shumë. Ditët e fundit ka qenë i jashtëzakonshëm fluksi në qendrat spitalore nga pacientët e të gjitha moshave.
Këto ditë pritet gjithashtu edhe që temperaturat të vijnë në ulje, duke arritur ekstreme negative.
“Me qëllim kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit të gripit në vend për të mbrojtur popullatën nga sëmundjet infektive që kanë impakt në shëndetin e saj, Ministria e Shëndetësisë, në bazë të nenit 7, pika 4 (masa të veçanta) të Ligjit 15/2016 (“Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”), sipas udhëzimeve kombëtare, të përgatitura nga Instituti i Shëndetit Publik, ka urdhëruar sot më datë 03.01.2017, mbylljen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave të arsimit parauniversitar në datat 4, 5, 6, 7 Janar 2017” thuhet në njoftimin e Ministrisë.