Dy dhomat e parlamentit italian miratuan sot një kërkesë të qeverisë për rritjen e borxhit publik deri në 20 miliardë euro për të financuar një paketë shpëtimi për bankat, duke filluar me bankën “Monte dei Paschi di Siena (MPS)”.

MPS-ja, e themeluar në vitin 1472  si dhe huadhënësja më e vjetër në botë, po mundohet të realizojë një rikapitalizim prej pesë miliardë euro deri në fund të vitit, ashtu siç kërkohet nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).

Advertisement[the_ad id="69159"]

Një rezolutë në favor të planit të qeverisë u miratua në një votim me 389 vota pro, 134 vota kundër dhe tetë abstenime, në Dhomën e Ulët të parlamentit.

Pak minuta më vonë, Senati gjithashtu votoi me 221 vota pro, 60 kundër dhe tre abstenime.

“Shuma prej 20 miliardë euro është e mjaftueshme për të zgjidhur problemet e një sektori bankar italian që është i fortë,  i shëndetshëm dhe me disa raste të njohura kritike me karakteristika të veçanta për secilin”, tha ministri italian i Ekonomisë,  Pier Carlo Padoan.