Tiranë – Berisha, banda e Dajtit do të marrë ndëshkimin më të lartë

Pasi ka nderuar për të fundit herë trupat e pajetë të Fatos Xhanit, Altin Dizdarit, Saimir Duçkollarit dhe Kastriot Feskas, mes qindra njerëzve që presin në radhë për të kryer homazhet, kreu i qeverisë deklaroi se banda e drejtuar prej Dritan Dajtit, i cili kreu këtë masakër, do të marrë ndëshkimin e merituar. “Që të katër, ranë në një operacion ndaj njërit prej kriminelëve më të rrezikshëm të Shqipërisë dhe jo vetëm të saj, sepse Dritan Dajti ishte një kërcënim i madh për rendin dhe sigurinë. Por banda e tij do të marrë ndëshkimin më të lartë nga organet e drejtësisë”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë. Nga ana tjetër, ai shtoi se sakrifica dhe vullneti i këtyre policëve tregon këmbënguljen e Policisë së Shtetit për të shtypur me çdo sakrificë krimin dhe për ta bërë jetën e qytetarëve më të sigurt “Kam bindjen se ngjarja e rëndë nuk do të cënojë aspak vendosmërinë e forcave të rendit për t’i dhënë krimit përgjigjen me zero tolerancë sikundër më sot. Ai ia doli të këpusë jetën e tyre, por verdikti dhe ligji do veprojë ndaj autorëve dhe bashkëpunëtorëve të tij me vendosmërinë më të madhe”, shtoi në fund Berisha.

Advertisement