Shqipëri – Sot Ditë Zie, katër policët janë shpallur Dëshmorë të Atdheut

Falë një udhëzimi të posaçëm të qeverisë, trupat e Fatos Xhanit, Altin Dizdarit, Saimir Duçkollarit dhe Kastriot Feskas do të nderohen sot nga personalitete të larta të kombit, por edhe qytetarë të thjeshtë përmes homazhesh në mjediset e Pallatit të Kongreseve, ndërsa varrimi i tyre do të kryhet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në fakt, në përputhje me procedurat që parashikon ligji, vetë kryeministri Berisha ka pohuar dje publikisht se këta katër punonjës të policisë do të shpallen Dëshmorë të Atdheut. Ndërkaq, flamujt në të gjitha institucionet shtetërore do të ulen në gjysmë shtizë në orën 12 në nderim të 4 dëshmorëve të atdheut të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje. Skuadra e Antikrimit të Organizuar mësohet se kishte rënë në gjurmët e Dritan Dajtit duke hetuar një organizatë ndërkombëtare të trafikut të drogës, dhe ishte ky interesi i tyre për të ndërhyrë dhe vënë në pranga super të kërkuarin për shkak të një vrasjeje, arratisjes spektakolare dhe informacioneve për gjobëvënie në Tiranë dhe Durrës. Reagimi i menjëhershëm i Dajtit dhe i personave që e shoqëronin dhe “nxitimi” për të ikur menjëherë kur është kryer rrethimi i zonës, ka bërë pjesë të hetimeve edhe dyshimet për ndonjë rrjedhje të mundshme informacioni dhe informimin e të kërkuarit për rrezikun e arrestimit.

Advertisement