Basha: Mund t’i sjellim qytetarëve një model të ri politik

PD sot feston 26 vjetorin e themelimit të saj dhe në këtë ditë të shënuar për demokratët , kryetari i PD-së Lulzim Basha, ka vendosur të hapë dyert e selisë blu për qytetarët.

“Partia Demokratike lindi e madhe,PD-ja me përpjekjet e saj u solli shqiptarëve më shumë liri e demokraci dhe i solli ata më afër Evropës.

Advertisement

Por nderimi dhe respekti për arritjet tona nuk na bëjnë ne të vërbër dhe as nuk i fshehin ato që s’kemi bërë apo ato që kemi bërë. Shqipëria e vitit 1990 dhe kjo e sotmja janë larg njera-tjetrës, por kanë dhe të përbashkëta. Shqipëria e 1990, ishte ajo e një regjimi të kalbëzuar, kurse sot, pas 26-vjetësh ka në krye një kastë kriminale të korruptuar, që ka në sistem drogën, krimin. Ky është kalbëzimi që i nxin jetën çdo shqiptari dhe i vret shpresën dhe i shtyn në arrati.”, deklaroi Basha.

Basha, deklaroi se, PD-ja do të sjellë një “model të ri politik”. “Ne mund t’i ofrojmë qytetarëve një model të ri politik, ku levat e fuqishme të kontrollit në demokraci të kenë hapësirën dhe mundësinë të kontrollojnë çdo vendim të qeverisë së ardhshme. Modeli i ri nuk duhet të mbështetet në fasadë dhe propagandë, por në punë dhe interesin publik”, tha Basha.

Kreu i demokratëve shtoi se PD-në “e kanë mbajtur të madhe veprat e saj në dobi të shqiptarëve”.

“Shqipëria e vitit 1990 dhe kjo e vitit 2016 janë larg njëra-tjetrës, por kanë edhe të përbashkëta. 26 vite më parë ishte në fundin e një sistemi të kalbëzuar, me shqiptarët që iknin ku t’i çonte anija e fatit. Sot është në fund të qeverisjes së kalbëzuar, që ka korrupsionin dhe blerjen e votës në sistem. Ortakëria mes politikanëve dhe medias ka dobësuar mekanizmat e kontrollit ndaj qeverisë. Etja për pushtet me çdo kusht ka sjellë kriminelë në majat e pushtetit. Viktimat e kësaj politike janë njerëzit e thjeshtë”, u shpreh Basha.

Kryetari i PD-së theksoi se kjo parti do të krijojë mundësinë për konkurrencën e alternativave brenda partisë, në mënyrë që çdokush që ka vizion të konkurrojë që vizioni i tij të bëhet i partisë. Basha shtoi edhe se do të shkurtohet mandati i kryetarit.

Në ambientet e brendshme të selisë së Partisë Demokratike është çelur edhe një ekspozitë, e cila tregon përmes fotografive rrugëtimin 26 vjeçar të kësaj partie.