Dhjetëra persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri në një “club” në Oakland të Kalifornisë.
Autoritetet kanë konfirmuar 9 viktima, por janë shprehur se kanë frikë se ky numër do të rritet, aq sa mund të shkojë deri në 40. Sipas sherifit të zonës thuhet se të pranishëm në ambientet e “club”-it kanë qenë nga 50 deri në 100 persona.
Zjarri ka nisur rreth orës 23:30 të së shtunës dhe sipas videove të bëra në ambientet e lokalit janë parë flakë masive. Për fat të keq, është pohuar se “club”-i nuk ka pasur sistem kundër zjarrit, madje edhe zjarrfikësit nuk e kanë dëgjuar alarmin për zjarr kur kanë mbërritur. Ambienti ishte i mbushur me manekine, mobilie dhe objekte të tjera që i pengonin zjarrfikësit të shuanin zjarrin.
Kjo mendohet të jetë një ndër tragjeditë më të mëdha të ndodhura në Oakland që prej vitit 1989, kur humbën jetën 63 persona si pasojë e një tërmeti.