Kjo javë është vendimtare për të gjithë maturantët, të cilët nuk dolën fitues në fazën e parë të aplikimeve për në universitete. Duke parë kuotat bosh, të cilat nuk janë zënë nga fituesit e raundit të parë, maturantët që janë ende në garë duhet të kontrollojnë mirë dhe t’i krahasojnë këto kuota me preferencat e tyre.
Aplikimet e raundit të dytë do të nisin më 23 shtator dhe lista përfundimtare e fituesve do të publikohet më 6 tetor.
Deri më tani universitetet kanë dhënë këto detaje për “Balkanweb”:
Mjekësia
Në degën e mjekësisë janë regjistruar rreth gjysma e fituesve, konkretisht 134 nga 246 vende të lira që ka kjo degë. Te infermieria janë regjistruar 95 kandidatë, nga 300 kuota të lira. Çudia është te dega e farmacisë, ku deri një ditë para përfundimit të afatit nuk është regjistruar asnjë student fitues, sipas ATA. Edhe në degët e mamisë dhe fizioterapisë, numri i të regjistruarve është shumë i ulët.
Ekonomiku
Te Fakulteti Ekonomik janë regjistruar 241 studentë nga 1178 vende të lira. Numër shumë herë më i ulët nga pritshmëritë që kanë të rinjtë për degët e këtij fakulteti.
Shkencat e natyrës
Edhe te Fakulteti i Shkencave të natyrës, numri i të regjistruarve është i ulët, ku janë nga 2-50 studentë të regjistruar për çdo degë.
Fakulteti Histori-Filologji
Numër të lartë regjistrimesh ka në Fakultetin e Histori-Filologjisë, ku janë regjistruar rreth gjysma e fituesve.
Universiteti Bujqësor
Numër i ulët regjistrimesh edhe në Universitetin Bujqësor, ku më shumë se 70% e kuotave do të jenë të lira për në raundin e dytë.