“Forcimi i lidhjeve me Serbinë është objektivi kryesor i Bashkimit Evropian”, ka pohuar Solana në Beograd pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç. Ai pranoi se ekzistojnë ende probleme, por palët do të bëjnë ç’është e mundur për të kapërcyer vështirësitë. Serbia dhe Bashkimi Evropian nënshkruan vitin e kaluar një marrëveshje për forcimin e lidhjeve mes tyre. Por Holanda, si anëtare e Bashkimit e ka bllokuar zbatimin e marrëveshjes. Holandezët këmbëngulin që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me Gjykatën e OKB-së për krimet e luftës, duke arrestuar të pandehurit për krime lufte, Ratko Mlladiç dhe Goran Hadzic dhe t’i dërgojë ata në Hagë. Gjithsesi, qeveria holandeze pritet të miratojë propozimin për liberalizimin e vizave për shtetasit serbë. Ndërkaq, bëhet e ditur se sot përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Havier Solana sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Maqedoni. Ai do të takohet me autoritetet e larta shtetërore dhe përfaqësuesit e partive politike. Mesazhet e Solanës do të jenë të qarta për autoritetet e vendit dhe faktorët politik për ndjekjen e rrugës së eurointegrimeve. Përfaqësuesi i BE-së pas qëndrimit në Shkup, ai do të udhëtojë në Prishtinë.