Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në Facebook ka reaguar lidhur me vrasjen e një punonjësi të OSHEE-së duke u shprehur se është nja ngjarje barbare që po kalon pa u vënë re. “Nuk e ve re hiç këtë masakër mbi shërbëtorin e shtetit, Partia Demokratike. E cila mjerisht, mezi e pret krimin e radhës, për të akuzuar Policinë e Shtetit, Ministrin e Brendshëm apo mua vetë. Po nuk e venë re thuajse fare, as edhe vetë gazetat online; ato të cilat nuk lënë gënjeshtër e fantazi pa publikuar si lajm, skandal apo bombë”, shkruan Rama. Kreu i qeverisë rendit arritjet e OSHEE-së, duke thënë se ndryshimi erdhi “sepse njerëzit si Zamir Velaj, bëjnë detyrën kundër kulturës mizerabël të vjedhjes së dritave.” Kryeministri Rama shkruan se që në nisje të reformës në energji, punonjësit e OSHEE-së janë plagosur apo kanë humbur edhe jetën, por se “nuk kanë bërë lajm thuajse fare, sepse lajmet nga ky sektor u janë rezervuar qysh në fillim, vjedhësve “të shkretë” të energjisë!”. Kryeministri Rama i shpreh ngushëllimet familjarëve të Zamir Velajt.