Tiranë – Vëzhguesit ndërkombëtar pubikojnë raportin e ndërmjetëm për zgjedhjet e 28 qershorit

I përbërë nga zyra e ODIHR-it, Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Natos dhe Këshillit të Europës, ky mision vë në dukje sesi zgjedhjet kanë shënuar “një përparim të dukshëm” në lidhje me proceset e regjistrimit dhe identifikimit të votuesve, si dhe me kuadrin ligjor, por ato u zbehën nga politizimi i anëve teknike të procesit nga partitë politike dhe shkeljet e vërejtura gjatë fushatës zgjedhore. Sipas raportit, “në 22 nga 66 vendet e numërimit të votave, vlerësohet se numërimi u krye “keq ose shumë keq”, duke shtuar edhe problemet e vëna re në respektimin e procedurave. “Në të paktën 9 qendra numërimi, zbatimi i tyre ishte i dobët”, citon raporti. Ndërkaq, në faqet e tij veprimtaria e Komisioneve zonale të Administrimit zgjedhor është konsideruar “e keqe ose shumë e keqe në 11 prej tyre, ose në një të pestën e tyre”. Ndërsa në shumicën dërmmuese të Qendrave të Numërimit, “një ose më shumë grupe numërimi patën vështirësi në plotësimin e tabelave të rezultateve”. Njëri nga problemet kryesore të vërejtura nga vëzhguesit ishin mosmarrëveshjet nëse duhet të numëroheshin ose jo votat në disa qendra votimi. “Numërimi i votave u zvarrit dhe u karakterizua nga nivele të larta mosbesimi mes partive politike dhe përfaqësuesve të tyre në të gjithë nivelet e administratës zgjedhore”, thuhet më tej në raport. “Vonesat në numërim shkaktuan tension mes partive,veçanërisht aty ku rezultatet ishin ose dukej të ishin të afërta. Në disa raste votimi u bllokua përkohësisht. Ndërhyrjet e vëzhguesve apo kandidatëve të partive në procesin e numërimit krijuan shpesh shpërqëndrim”, thuhet më tej. Sipas vëzhguesve edhe sistemi elektronik i monitorimit, përmes përdorimit të kamerave përpara së cilave vendosej çdo fletë votimi, “nuk e ka rritur shumë transparencën e procesit”. Ata kanë konstatuar se “nuk ishte e mundur gjithmonë të dallohej se për kë subjekt ishte votuar apo nëse votat vendoseshin në stivën e votave të partisë së duhur“. Një vend jo i vogël i është kushtuar veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në raport shkruhet se “fatkeqësisht, kur u vërejtën apo u raportuan probleme në Vendet e Numërimit të Votave, KQZ vendosi të mos ndërhynte pavarësisht faktit se ndodhej në pozitë të tillë ku mund të vëzhgonte atë që po ndodhte”.

Advertisement