Kryeministri Berisha u shpreh se ndërtimi i këtij bypass-i modernizon transportin e kësaj zone, si dhe lehtëson trafikun e rënduar në bulevardin e zonës së plazhit. “Sot ne inaugurojmë mbikalimin, nyjën e Shkozetit, një investim prej 1.5 miliardë lekë apo rreth 13 milionë euro, ndihmë bujare e qeverisë Kuvajtiane, të cilës ne i shprehim mirënjohjen më të thellë. Ky mbikalim modernizon transportin e kësaj zone, si dhe përjashton nga trafiku i rëndë bulevardin e zonës së plazhit. Më ndërtimin e saj, Durrësi merr një vepër të re të madhe infrastrukturore. Së shpejti, ne do të inaugurojmë unazën e Durrësit, sepse ne nuk mund të konceptojmë për shkak të dallimeve partiake në pushtet, të rrimë duarkryq para nevojave të qytetarëve. Absolutisht, jo! Përkundrazi, ne do të shumëfishojmë përpjekjet tona për të bërë sa më shpejt Durrësin me unazën që meriton dhe për të transformuar sa më shpejt infrastrukturën e asaj që dje ishte kënetë dhe sot është një nga qytetet e reja më të bukura të Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri Berisha. “Shqipëria po ndryshon! Ky është dhe do të mbetet lajtmotivi ynë deri sa ky vend të gëzojë standardet, të gëzojë infrastrukturën, të gëzojë arsimin dhe shëndetësinë e niveleve evropiane. Ky është motivi ynë i fuqishëm që këto katër vite ti shndërrojmë në vitet e transformimit më të madh dhe me të shpejtë të këtij vendi dhe që në këto katër vite ta bëjmë Shqipërinë me infrastrukturën më të re dhe më moderne në Ballkan dhe më gjerë”, tha Berisha.