Ambasadori Lu kritikon politikanët: Rama dhe Basha të takohen të hënën

Ambasada e SHBA-së bën fajtore klasën politike që ende nuk është arritur konsensusi për reformën në drejtësi. Duke mos bërë dallim mes mazhorancës e opozitës, ambasadori i SHBA Donald Lu ka kritikuar ashpër liderët politik, duke thënë se asnjë prej propozimeve të tyre që del jashtë draftit të reformës nuk është i pranueshëm. Z. Lu tha se të gjithë jemi të lodhur dhe të acaruar nga udhëheqësit politik shqiptarë. “Sot, Z. Basha tha se opozita kishte vendosur mbi tavolinë një propozim të vlefshëm. I thashë Z. Basha se propozimi i tij ishte i papranueshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe se tregon që ka thyer zotimin e tij ditën e dielë ndaj Ambasadores Nuland. Gjithashtu sot, Z. Rama njoftoi se ai u ka dhënë fund negociatave me opozitën dhe se do të pranonte çdo kërkesë të opozitës që miratohet nga BE dhe SHBA. Unë e refuzoj edhe këtë rol. Përgjegjësia për zgjidhjen e problemeve politike të Shqipërisë është e udhëheqësve shqiptarë.” Ambasadori Lu ka dhënë një propozim të fundit për zgjidhjen e ngërcit. “E sfidoj kryeministrin dhe kreun e opozitës që të takohen ballë për ballë të hënën dhe të premtojnë publikisht se nuk do të largohen nga salla e takimit deri sa të kenë një zgjidhje për çështjen e fundit të kësaj reforme. Le të shohim se kush është me të vërtetë në favor të mbështetjes së një kompromisi. Kjo do ta zgjidhë problemin në njërën prej dy mënyrave. Ata ose do të gjejnë një zgjidhje që mund të mbështetet si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita. Ose, mund të mbyllen brenda asaj salle takimi së bashku, përjetë.”, ka thënë ai. Duke mos dhënë rrugë tjetër vec miratimit të reformës, ambasadori Lu pyet se për cfarë do të mbahen mend udhëheqësit e sotëm politik. “Reforma në drejtësi do të miratohet. E vetmja pyetje është nëse ky kuvend dhe udhëheqësit e partive politike, do të mbahen mend për suksesin apo do të fajësohen për dështimin e saj.”, përfundoi deklaratën ambasadori Lu.

Advertisement