BASHA: RAMA DËSHMOI SE CILA ËSHTË DREJTËSIA QË AI DO

Kryetari i PD, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat ka denoncuar atë që e ka quajtur “presioni mafioz” i kryeministrit Rama ndaj drejtësisë. “Me presione, sulme, kërcënime kriminale, Edi Rama ia doli të përcaktojë dy vendime gjykate, që lidhen me dy prej skandaleve më të mëdha të qeverisjes së tij, janë përgjimet e paligjshme dhe inkriminimi I pushtetit. Çako u kthye në detyrë, ndërsa Rroshi në shtëpi”, ka thënë Basha. Kreu demokrat tha se sot është një ditë kritike për vendin. “Kritike sepse garancia për të patur një hetim të pavarur, të plotë, një zbardhje të plotë të krimit shtetëror të përgjimit të paligjshëm, ka rënë. Nuk lejon hetim Edi Rama sepse është vetë i përfshirë, është vetë drejtpërdrejt me kufjet kriminale në vesh, duke përgjuar politikanë, deputetë, biznesmenë, përfaqësues të medias”, ka vijuar Basha. “Sot Edi Rama e dëshmoi me dy akte konkrete, se cila është drejtësia që ai do. Një drejtësi që i bindet. Një drejtësi që dëgjon zërin e tij, e kthen atë në vendim. Një drejtësi që lexon statuset e tij në facebook, dhe orientohet prej tyre. Një drejtësi që nuk heton krimin dhe korrupsionin e Edi Ramës. Këtë drejtësi do ai. Asnjë lloj tjetër.”

Advertisement