Mat – Leka, PLL punon për alternativën mbretërore

Princi Leka ndër të tjera tha se “matjanët janë krenarë për historinë e tyre dhe duhet të punojnë për ta mbajtur këtë krenari’. Sipas Lekës, Legaliteti është e vetmja parti që punon për alternativën mbretërore. “Prandaj në zgjedhjet e 28 qershorit unë ju bëj thirrje që brenda koalicionit “Aleanca e Ndryshimit” të votoni partinë “Lëvizja e Legalitetit”, sepse duke votuar PLL-në i keni dhënë mbështetje të fuqishme koalicionit të djathtë shqiptar”. Leka u shpreh i bindur se “deputetët e Legalitetit që do të dalin nga zgjedhjet e 28 qershorit do të ndikojnë ndjeshëm për të sjellë ndryshime jo vetëm në Mat por në të gjithë Shqipërinë”. Ndërsa në takimin në komunën e Derjanit kryetari i PLL Ekrem Spahiu foli për qëndresën e matjanëve ndaj diktaturës dhe kontributet e tyre për proceset demokratike. Ai iu drejtua të pranishmëve në mënyrë të drejtpërdrejtë kur u tha se “jeni ata që e kundërshtuat komunizmin që në ditët e para dhe e dëshmuat këtë më së miri në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 kur votuat masivisht kundër tij”. “Kjo solli pasoja të rënda, vijoi Spahiu, për ju dhe familjet tuaja që u shoqëruan me pushkatime, burgosje dhe internime për 45 vjet me radhë. Jeni po ju që kontribuuat shumë në rrëzimin e diktaturës dhe që nga zgjedhjet e 31 marsit 1991 e deri më sot keni votuar gjithmonë për Legalitetin dhe të Djathtën, sikurse do ta votoni PLL edhe më 28 qershor 2009.”