Kryeministri Rama nis vizitën në New York

Kryeministri Edi Rama u takua me Kryetarin e Bashkisë së New York-ut Bill de Blasio në ditën e parë të vizitës në SHBA. Gjatë takimit me kryebashkiakun e New York-ut, Kryeministri Rama vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe rolin që SHBA ka luajtur në mbrojte të interesave kombëtare shqiptare. Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë de Blasio e përgëzoi Kryeministrin Rama për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në New York. Kryeministri Edi Rama mori pjesë edhe në një aktivitet të organizuar nga komuniteti shqiptar në New York. Një takim miqësor ku u fol për Shqipërinë e sotme dhe të nesërme, për marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara dhe kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan në zhvillimet e këtyre 25 viteve në Shqipëri. Në takim ka marrë fjalën Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit të New Jorkut, Eric Scheiderman, si dhe Mark Gjonaj anëtar i Asamblesë së Shtetit të New Yorkut. “Ne shqiptarët ushqejmë një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për Shtetet e Bashkuara. Kjo ndjenjë është farkëtuar në lidhjet tona të thella historike, të cilat i kanë rrënjët në lindjen e Shqipërisë moderne, në fillim të shekullit të kaluar. Lidhja jonë e veçantë është përforcuar më tej gjatë viteve të gjata të tranzicionit tonë demokratik. Ajo është intensifikuar më tej, me përpjekjet e përbashkëta për të ndërtuar shoqërinë tonë të lirë, për të përforcuar sundimin e ligjit, por edhe gjatë udhëtimit tonë në Irak, në Afganistan, për çlirimin e Kosovës dhe në bashkëpunimin tonë të ngushtë në lidhje me aksionet e ndërmarra për sigurinë dhe sfidat e përbashkëta. Gjithë kjo na ka çuar në nivelin më të lartë ndonjëherë të marrëdhënieve dypalëshe, partneriteti strategjik i nënshkruar vitin e kaluar. Ne jemi dhe mbetemi të prirur të vazhdojmë në këtë rrugë, në të mirën e vendeve dhe kombeve tona,” – u shpreh Kryeministri. Ky rrugëtim 25 vjeçar i Shqipërisë, edhe pse me një trashëgimi të vështirë, ka shënuar arritje madhore për shqiptarët kudo. “Sot, Shqipëria është një spirancë stabiliteti në Ballkan; një anëtare e NATO-s, së bashku me SHBA-në dhe miqtë e partnerët e tjerë, kandidate për anëtarësim në BE; por më shumë se çdo gjë, një demokraci gjithnjë e më të fortë, një shoqëri e lirë, me një kohezion social të admirueshëm, një oaz respekti mes besimeve të ndryshme, diçka që e tërë bota admiron. Nga ana tjetër dua ta them dhe ta përsëris se ne shqiptarët nuk kemi qenë kurrë më mirë më parë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë Shqipërisë. Me një tjetër shtet shqiptar, Kosovën e lirë dhe të pavarur,” – u shpreh Kryeministri Rama. Në këto arritje, për Kryeministrin Rama, mbështetja e fortë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë jetike. Po ashtu, roli i komunitetit shqiptaro-amerikan ka qenë domethënës. “Unë jam i sigurt se nuk e teproj, nëse them se pa diasporën shqiptaro-amerikane, kjo ëndërr do të kishte qenë shumë më e vështirë, në mos e pamundur për t’u arritur. Çdo gjë që kemi bërë dhe arritur është së pari, fryt i angazhimit tonë, i përpjekjeve tona, vendosmërisë dhe energjisë sonë. Por ne nuk do të kishim qenë këtu, po të mos kishim pasur mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Çdo përfaqësues i shtetit amerikan që ka ardhur në Shqipëri flet me lavdërim dhe respekt për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe kjo na bën të gjithëve ne, shumë krenarë. Për këtë, ju falenderoj shumë të gjithëve,” – u shpreh Kryeministri Rama. Për të fuqizuar lidhjet e diasporës shqiptare kudo nëpër botë me vendim amë, në nëntor të këtij viti në Tiranë do të mbahet Samiti i parë i Diasporës, për të cilin Kryeministri Rama është i bindur se do të krijojë një marrëdhënie të re, përmes hapave konkretë bashkëpunimi. “Unë jam i bindur që mund të bëjmë më shumë dhe më mirë. Jam i lumtur të shpall këtu, për herë të parë, se në nëntor të këtij viti do të organizojmë Samitin e parë të Diasporës Shqiptare në Tiranë. Puna për organizimin e Samitit është në zhvillim dhe shumë shpejt, detajet për pjesëmarrjen dhe regjistrimin do të bëhen publike. E shkuara jonë e hidhur dhe e përçarë, dekada të mungesës së komunikimit, vrulli për të zbuluar botën dhe vështirësitë e tranzicionit në rindërtimin e shtëpisë sonë na kanë mbajtur shpesh të veçuar. Kjo nuk do të ndodhë më. Samiti do të jetë një event madhor, ku qeveria dhe aktorë të tjerë kombëtarë do të diskutojnë me përfaqësuesit e diasporës shqiptare nga çdo kënd i botës, në më shumë se 50 vende, për hapat konkretë që mund të hedhim për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin midis nesh. Në radhë të parë, si mund të ndërtojmë sa më shumë ura dijeje, sepse dija është gjëja më e çmuar që Shqipëria mund të mësojë nga ju këtu dhe nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në botë,” – u shpreh Kryeministri Rama. Duke folur për qëllimin e organizimit të takimit të diasporës, Kryeministri nënvizoi se ai do të udhëhiqet nga nevoja për të ndërtuar një urë midis shqiptarëve, brenda dhe jashtë, për të bërë më shumë në ruajtjen e gjuhës, imazhit dhe zhvillimit të identitetit tonë, si dhe nga nevoja për të ngritur strukturën e bashkëpunimit. “Do të jetë një takim pa asnjë dallim për atë që jemi, nga vijmë, çfarë besojmë, apo çfarë partie preferojmë. Do të jetë një takim i gjallëruar nga dëshira për t’u bashkuar përmes ideve, hapave konkretë, planeve të veprimit, duke u udhëhequr nga nevoja për të ndërtuar një urë midis nesh, shqiptarëve jashtë dhe atyre në Atdhe. Do të jetë momenti për të treguar se ne mund të jetojmë në pjesë të ndryshme të botës, por të ndihemi një; mund të jemi të shpërndarë në shtete të ndryshme, por gjithmonë të bashkuar rreth vlerave tona, parimeve tona, vendosmërisë sonë kulturore dhe shpirtërore, gjuhës dhe përkatësisë sonë, identitetit tonë unik shqiptar. Do të jetë momenti për të diskutuar dhe shpresoj për t’u dakordësuar mbi rrugët dhe mënyrat e strukturimit të bashkëpunimit tonë, duke ngritur mekanizma për të punuar dhe zbatuar projekte që do të na lejojnë të jemi plotësues të njëri-tjetrit. Do të nisim nga njohja e njerëzve në Shqipëri, me shembujt e suksesit, heronjtë e diasporës, në kuptimin e punës, arritjeve dhe suksesit të përditshëm. Në kthimin në shtëpi, përpjekjet tona të përbashkëta mund të maksimizojnë progresin dhe mirëqenien, duke rritur shkëmbimet tregtare dhe lidhjet ekonomike. Këtu në diasporë, ne mund të bëjmë shumë më tepër në ruajtjen e gjuhës sonë, imazhit tonë, në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit tonë, duke ofruar shërbime më të mira përmes rrjeteve tona konsullore, duke punuar me qeveritë e tjera, për të ruajtur të drejtat individuale dhe komunitare. Samiti i nëntorit do të jetë momenti për të treguar se cilët jemi dhe se jemi tashmë të aftë dhe të pjekur mjaftueshëm për të bërë më shumë dhe për të synuar më lart,”– u shpreh Kryeministri Rama. Në takim u shfaq filmi Besa – Premtimi, shoqëruar edhe me ekspozitë fotografike. Filmi ka marrë vlerësimet më të mira nga kritika dhe publiku ku është shfaqur. Roger Ebert, një nga shtëpitë më të njohura të kritikës kinematografike në SHBA, shkroi pak ditë më parë se “Besa – Premtimi” tregon guximin dhe bujarinë e shqiptarëve.

Advertisement