Kosovë – NATO konfirmon pakësimin e trupave

Zyrtarët e NATO-s e quajtën vendimin një përgjigje të situatës së stabilizuar në Kosovë dhe lanë të kuptohet se ka mundësi të bëhen shkurtime të tjera. Aleanca e NATO-s dërgoi paqeruajtës në Kosovë në vitin 1999 nën mandatin e Kombeve të Bashkuara pas fushatës së bombardimeve kundër forcave serbe. Ministrat e mbrojtjes thanë se numri i trupave të Natos në Kosovë do të pakësohet me një të tretën duke marrë parasysh përmirësimin e situatës së sigurisë. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Josef Jung tha se shtritja e misionit të EULEX-it dhe zgjerimi i forcës së sigurisë së vetë Kosovës do të lejojë pakësimin e forcës. “Jam i kënaqur që misioni i EULEX-it në Kosovë ka arritur në 2500 dhe shpresojmë që deri në fund të shtatorit Forca e Sigurisë së Kosovës të arrijë në 2500 trupa. Mendoj se mund të fillojmë të zvogëlojmë praninë e KFOR-it deri në fund të vitit, nga 14 mijë e 400 në 10 mijë ushtarë”. Aleanca e Natos ka pakësuar gradualisht kontigjentin e saj ushtarak në Kosovë gjatë 10 vjetëve të fundit. Ministri Jung sugjeroi se shkurtime të mëtejshme të forcës së Natos mund të ndodhin gjatë 2010-ës nëse situata e sigurisë vazhdon të jetë e qëndrueshme. Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jaap de Hoop Skefer ritheksoi se tërheqja e trupave do të bëhet e koordinuar nga të gjitha palët. “Tërheqja do të bëhet sipas parimit, bashkë në Kosovë dhe bashkë jashtë saj. Jemi të kënaqur që edhe pse vendimi për tërheqjen e trupave nuk u bë i koordinuar, lëvizja e tyre do të jetë e tillë. Mendoj se bashkëpunimi mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian po shkon mirë në Kosovë”. Disa diplomatë kanë sugjeruar se një pjesë e trupave në Kosovë duhet të ridislokohen në Afganistan për të forcuar praninë evropiane atje. Por shumë evropianë kundërshtojnë megjithatë dërgimin e më shumë trupave në Afganistan në një kohë krize ekonomike dhe zvogëlimit të buxheteve për mbrojtjen.

Advertisement