Qeveria emëron tre zëvendësministra

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e radhës të së mërkurës vendosi emërimin e tre zëvendësministrave, si dhe të prefektit të Lezhës.
Bahri Shaqiri, ish-shef i Shërbimit Informativ Shtetëror, është emëruar në detyrën e zv/ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës.
Adela Shera Karapici emërohet zëvendësministre e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ndërsa Ron Telegrafi emërohet zëvendësministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
Ndërkohë, që Eduard Ndreca emërohet prefekt i Qarkut të Lezhës.
Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi gjithashtu një ndryshim në vendimin “Për shpalljen e qendrës historike të qytetit të Korçës”; miratimin e marrëveshjes së huasë, mes palës shqiptare dhe Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës”; miratimin e Fondit në buxhetin e vitit 2016 për Ministrinë e Bujqësisë, për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtoral dhe të agropërpunimit; një vendim për planin e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm të burimeve njerëzore e materiale të vendit gjatë periudhës për të cilën kërkohet vendosja e masave të jashtëzakonshme, etj.

Advertisement