Tahiri: Shqipëria nuk trafikon armë për terrorizmin

Foto Arkiv

Shqipëria nuk është vend që trafikon armë për terrorizmin, deklaroi të martën Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, në një prononcim për mediat.

Sipas tij, Shqipëria ka pasur një numër procedimesh lidhur me çështjet e armëve dhe po ashtu me kultivimin e lëndëve narkotike. “Por asnjëra nga këto nuk lidhet me çështjet e terrorizmit. Jo çdo abuzim, që lexoni shpeshherë nga gazetarë anonimë apo që vijnë këtu me referenca të gabuara vendase, shërben për të ndërtuar këtë lloj paniku”, tha Ministri Tahiri.

Advertisement

“Besoj që rezultatet pozitive të vitit 2015 janë një mundësi e jona për të kuptuar që kapaciteti i Policisë për të bërë akoma më mirë është aty. Për sa kohë besimi i qytetarëve është rritur në mënyrë progresive tek Policia e Shtetit, për sa kohë rezultatet janë tepër pozitive (krahasuar me çdo vit në 25 vitet e fundit), unë realisht mendoj që kemi ende mundësi për të bërë akoma më mirë qoftë në kuadër të bashkëpunimit me institucionet e tjera, qoftë në kuadër të shërbimit ndaj qytetarëve, qoftë në kuadër të luftës kundër informalitetit, paligjshmërisë apo kriminalitetit”, vijoi Ministri i Punëve të Brendshme Tahiri, i cili ishte i pranishëm në analizën vjetore të Policisë Tiranë.