Reforma në drejtësi-PD:Konsensusi kalon nga zbatimi i rekomandimeve të Venecias

Grupi i ekspertëve të Partisë Demokratike në një dalje për mediat përsëriti sot kundërshtimin ndaj draftit të reformës në drejtësi, i hartuar nga maxhoranca duke deklaruar se ai synon kapjen e plotë të sistemit dhe nuk respekton rekomandimet e Komisionit të Venecias. Drafti duhet të implementojë pikë për pikë 138 rekomandimet e tij dhe rruga e konsensusit kalon pikërisht nga ky Komision, u shprehën ekspertët e djathtë.

Gjatë një konference për shtyp, deputeti Eduard Halimi u ndal tek pika kryesore e draftit ku palët nuk gjejnë mirëkuptim, emërimi i drejtuesve të lartë të institucioneve të drejtësisë, të cilët tha ai, duhet të jenë njerëz që të mos emërohen nga kryeministri, por zgjedhja e tyre të bëhet përmes një shumice në parlament me mbi 84 vota.

Advertisement

“Ky qëndrim racional i opozitës është thënë e zeza mbi të bardhë në rekomandimin 55 të Komisionit të Venecias që thotë se me votimin me 3/5 çimentohet kapja politike e sistemit”, u shpreh Halimi.

“Çfarë ndodh nëse Kryeministri me 84 vota emëron gjithë skemën e organizimit dhe funksionimit të drejtësisë?Zgjedhja e drejtuesve të tetë institucioneve të larta të drejtësisë sipas kësaj formule(3/5) do të  krijonte një oktapod të vërtetë në kapjen e sistemit”, shtoi ai.

Në komunikimin me gazetarët, Halimi vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të faktorit ndërkombëtar në procesin e reformës në drejtësi, veçanërisht përpjekjet e ambasadorit amerikan, Donald Lu, pa përpjekjet e të cilit, tha ai, nuk do të ishim sot këtu.  “Ambasadori Lu është një nga aktorët dhe partnerët tanë më të rëndësishëm në këtë reformë. Pa këmbënguljen dhe qëndrimin e tij racional sot ndoshta nuk do të kishim as raportin e Komisionit të Venecias”, theksoi Halimi.

Dy ditë më parë grupi i ekspertëve të nivelit të lartë përmbylli rishikimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, pa miratimin e opozitës. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike e bojkotuan në fund procesin duke akuzuar maxhorancën se në hartimin e draftit nuk mori parasysh propozimet e saj për zgjedhjen me 2/3 nga parlamenti të drejtuesve të disa institucioneve të drejtësisë. Kjo mbetet çështja kyçe për të cilën palët nuk gjejnë konsensus gjë që e ka futur procesin në ngërç, i cili duhet të gëzoje mirëkuptimin e te gjithë kahëve te politikës.