Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli, ministri i Jashtëm Lulzim Basha, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, Guvernatori i Landit të Austrisë së poshtme Erwin Pröll, etj. Duke vlerësuar projektin e realizuar nga dy prej kompanive më prestigjioze në fushën e hidroenergjisë, si një kryevepër të ndërtimit, në llojin e vet, kryeministri siguroi se investime të përmasave të tilla do të gjejnë mbështetjen e plotë të qeverisë vendore dhe asaj qendrore. “Këto investime e bënë Shqipërinë, para së gjithash dhe mbi të gjithash, se qeveria ime ka krijuar në këtë vend klimën dhe kushtet më miqësore për investitorët e huaj. Taksa e sheshtë prej 10% dhe lehtësira të tjera tarifore, zhdukja e barrierave burokratike, ka bërë Shqipërinë të renditet e para në rajon për investimet e huaja”, tha Berisha. Berisha tha se përvec përfitimeve energjetike, kjo do të sjellë dhe punësimin e mijëra qytetarëve. “Kaskada e Devollit që do të ndërtohet në një tunelin rreth 62 km do të punësojë direkt 5 mijë qytetarë shqiptarë dhe indirekt do të punësojë edhe 3 mijë të tjerë. Vetëm rrogat e tyre të marra së bashku janë rreth 180 milion euro. Ky projekt është një gur i madh themeli në strategjinë time. Shqipëria superfuqi energjetike në rajon” u shpreh Berisha. Kryeministri shtoi se taksa e sheshtë prej 10 për qind dhe lehtësira të tjera tarifore, zhdukja e barrierave burokratike, ka bërë Shqipërinë të renditet e para në rajon për investimet e huaja. “Ambicia imë është shumë e madhe. Shqipëria ka nevojë dhe do të jetë 1-shi në Evropë për rritjen ekonomike, Shqipëria ka nevojë dhe do të jetë 1-shi në Evropë për investimet e huaja, Shqipëria ka nevojë dhe do të jetë quantum leap i Evropës në zhvillimin e saj” u shpreh më tej Berisha. Zbatimi i këtij projekti do të mundësojë optimizmin e plotë të kaskadës së lumit Devoll, përmes tre hidrocentraleve të planifikuara me një kapacitet të instaluar në rajon prej 320 megavatësh. Projekti me vlerë rreth 1 miliardë euro do të mundësojë prodhimin e afërsisht 1000 gigavat energji.