Në ditën e dytë të vizitës së tij në Izrael, kryeministri Edi Rama zhvilloi takime me presidentin e vendit, Reuven Rivlin dhe kryeparlamentarin Yuli-Yoel Edelstein.
Tema kryesore e diskutimit ishin sfidat e përbashkëta kundër ekstremizmit të dhunshëm. Nga ana e të dyja palëve u kërkua bashkëpunim i mëtejshëm në fushat e turizmit, energjisë dhe bujqësisë. Autoritetet izraelite vlerësuan gjestin e kryer nga shqiptarët gjate Holokaustit ndaj popullit hebre.
Ndërsa në takimin me kryebashkiakun e Jeruzalemit, Nir Barkat, kryeministri e vuri theksin tek bashkjetesa fetare në Shqipëri dhe ndarjen e kësaj përvoje me Izraelin.
“Ne jetojmë në një vend ku ka komunitete të ndryshme fetare, të cilat kanë një marrëdhënie shumë të veçantë midis tyre. Ndaj është shumë pozitive për ne që ta ndajmë me ju këtë eksperiencë dhe të dëgjojmë edhe ekperiencën tuaj”, tha Rama.
Ndërsa për Barkat, është i nevojshëm bashkëpunimi i gjithanshëm ndërmejt të dyja vendeve. “Për ne është shumë e rëndësishme që të zhvillojmë marrëdhëniet tona, të mësojmë nga njëri-tjetri, të kontribuojmë me eksperiencat tona, me ekperiencat tona pozitive për partnerët tanë në mbarë botën”, tha Barkat.
Më pas kryeministri, i shoqëruar nga zonja e tij dhe të tjerë pjesëtarë të qeverisë që e shoqëronin, vizituan memorialin Yad Vashem, ku nderuan viktimat e Holokaustit; Bazilikën e Varrit të Shenjtë të Krishtit, ndërtuar nga perandori ilir Kostandin; dhe Murin e Lotëve.