PD: Rama, tendera me shumicë Beqajt dhe Abazit

Partia Demokratike, përmes anëtares së Këshillit Kombëtar, Ina Zhupa ka akuzuar kryeministrin Rama se përgjatë dy javëve të fundit ka vijuar me intensitet ndarjen e parave me miqtë dhe donatorët e tij.

“Siç tregon buletini i prokurimeve, Ilir Beqaj me firmën e tij “Intech Plus”, ka marrë tendera të tjerë me vlerë 1 miliardë e 640 milionë lekë. Në një prej tenderave në Ministrinë e Jashtme, me 320 milionë lekë, kompania e Beqajt ka qënë ofertuesja e vetme dhe ka marrë qindarkë më qindarkë gjithë fondin limit të vënë në dispozicion”, ka deklaruar Zhupa.

Advertisement

Sipas saj, lista vazhdon me Vilma Nushin dhe firmën e saj “Trimed”, që në këto dy javë ka marrë 710 milionë lekë nga Beqaj dhe nga spitalet e vendit.

Ndërkohë, “godet sërish Sadri Abazi, me firmën që me letra e ka nipi i tij, duke futur në dorë 1 miliard e 830 milionë lekë në tendera të ndryshëm nga rrugët tek KESH-i”, ka thënë Zhupa.

Gjithashtu, ka vijuar ajo, “Omega Farma”, pronari i së cilës është në arrest dhe nën hetim për korrupsion, vazhdon të marrë para nga Ilir Beqaj.

“Ministri i Ramës kërkon të blejë heshtjen e shefit të “Omega Farmës”, pasi njihet përfshirja e tij në skemën e recetave fiktive. 1 miliard e 279 milionë lekë për Nadirin e Beqajt. Ndërtuesi i Ramës, Papuli ka marrë edhe ai një pako këto dy javë, me shërbim e shitje makine, 80 milionë lekë”, ka thënë Zhupa.

“Shihni pra të nderuar qytetarë se çfarë bëhet me paratë tuaja. Ato janë që në fillim të destinuara të ndahen mes Ramës dhe miqve të tij, mes Beqajt e klientëve të tij. Ky shtet i korruptuar duhet ndalur.

Ky është viti i fundit i kësaj hajdutërie që po pasuron Ramën e 40 hajdutët e tij, e po varfëron deri në frymën e fundit popullin.

Koha është tani. Korrupsionin do ta ndalim ne të bashkuar, në rrugë në sheshe, derisa ta dëbojmë klikën që vjedh e zhvat paratë e pasuritë e shqiptarëve”, ka thënë Zhupa.