Seanca e fundit e Kuvendit e këtij sesioni u përfshi sërish sot nga debatet mes palëve rreth çështjes së akordimit të medaljeve personave që kanë kryer krime gjatë regjimit komunist.
Kryetari i grupit parlamentar Edi Paloka paraqiti para deputetëve pr/rezolutën ku kërkohet tërheqja e medaljeve ndaj personave që kanë kryer akte genocidi në të shkuarën komuniste. Paloka këmbënguli që kjo rezolutë të miratohej në seancën e sotme.
Ky dokument, i përmbledhur në 13 pika, krahas dënimit të krimeve të komunizmit, kërkon dhe shfuqizimin e përfitimeve të pensioneve për personat përgjegjës për krimet e kryera në kohën e komunizmit.
Nga ana e saj, maxhoranca ka depozituar në Kuvend nismën ligjore që parashikon heqjen e medaljeve për ish-anëtarët e Byrosë Politike të periudhës së regjimit komunist. “Në përgjigje të kërkesës së opozitës ne vijmë në këtë seancë me një nismë ligjore ku ajo që kërkon rezoluta e paraqitur nga ju (opozita) konkretizohet me ndryshimin e ligjit”, tha kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi.
Në konferencën e kryetarëve, vijoi ai, unë kërkova që kjo nismë të kalohej me procedurë të përshpejtuar dhe të futej në axhendë sot e të miratohej. Por, kjo u kundërshtua me të drejtë pasi procedura nuk e lejon që në një seancë të ketë dy çështje me procedurë të përshpejtuar. Kolegë të opozitës, ashtu sikurse kërkonin zbatimin e procedurave parlamentare, ashtu duhet të kërkoni dhe zbatimin e procedurës edhe për kërkesat tuaja. Dhe ajo bëhet nul me nismën ligjore të depozituar që në seancën e kaluar”, u shpreh Ruçi.

Advertisement