“Ju bëjmë me dije se procesi i pajisjes së qytetarëve pa pasaportë me letërnjoftimin elektronik po ecën normalisht dhe ka në dispozicion kapacitetet maksimale. Ne ju vëmë në dijeni se deri ditën e djeshme, datë 29 Maj 2009, kanë aplikuar 1 149 211 votues. Ne, për të verifikuar sa prej tyre janë nga grupi i atyre pa pasaportë kemi hedhur në sistemin e kontrollit deri ditën e djeshme vetëm 1 012 905 rekorde nga të cilat rezulton se 418 956 janë nga grupi i atyre pa pasaportë” thuhej në letrën e Ministrisë së Brendshme drejtuar PS-së. Ndërkohë që sipas ministrisë së Brëndshme kapacitetet e instaluara lejojnë pajisjen me letërnjoftim të të gjithë votuesve pa pasaportë që do të paraqiten për të aplikuar deri më datën 15 Qershor 2009. “Ministria e Brendshme mbetet maksimalisht e angazhuar për të siguruar ecurinë maksimale të procesit dhe për të përmbushur tërësisht standardet zgjedhore. Në këtë këndvështrim, transparencën e procesit e kemi konsideruar si kusht thelbësor për mbarëvajtjen e tij dhe për një klimë pozitive për zgjedhje” thuhej më tej në letër. Më poshtë vijon letra e plotë: REPUBLIKA E SHQIPËRISË, MINISTRIA E BRENDSHME, ZËVENDËSMINISTRI. Nr. 3998/3 Prot, Tiranë, më 30.05.2009. Drejtuar: Partisë Socialiste të Shqipërisë. Për dijeni: Prezencës së OSBE-së në Tiranë; Shkëlqesisë së Tij, Zotit Robert Bosch, Ambasador; ODHIR, Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Shqipëri; Shkëlqesisë së Saj, Zonjës Audrey Glover, Ambasador. Në vijimësi të përgjigjeve tona të përmendura edhe në letrën e datës 27.05.2009, të cilat ju i mohoni por që janë të hapura për publikun në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme në ikonën “Infrastruktura Zgjedhore”, ju bëjmë me dije se procesi i pajisjes së qytetarëve pa pasaportë me letërnjoftimin elektronik po ecën normalisht dhe ka në dispozicion kapacitetet maksimale. Ne ju vëmë në dijeni se deri ditën e djeshme, datë 29 Maj 2009, kanë aplikuar 1 149 211 votues. Ne, për të verifikuar sa prej tyre janë nga grupi i atyre pa pasaportë kemi hedhur në sistemin e kontrollit deri ditën e djeshme vetëm 1 012 905 rekorde nga të cilat rezulton se 418 956 janë nga grupi i atyre pa pasaportë. Krahasuar përqindjet që zënë numri i aplikimeve te votuesve pa pasaporte kundrejt numrit total të aplikimeve të hedhura në sistem dhe duke marrë parasysh numrin total të aplikimeve të kryera deri më tani, pritshmëria për votuesit pa pasaportë dhe që kanë aplikuar deri më 29 Maj 2009 është më shumë se 460 000 votues. Kjo tregon qartë ecurinë normale dhe solide të procesit dhe konfirmon se që nga sot, datë 30.05.2009 ne jemi më shumë se pritshmëria juaj maksimale. Kapacitetet e instaluara lejojnë pajisjen me letërnjoftim të të gjithë votuesve pa pasaportë që do të paraqiten për të aplikuar deri më datën 15 Qershor 2009. Ministria e Brendshme mbetet maksimalisht e angazhuar për të siguruar ecurinë maksimale të procesit dhe për të përmbushur tërësisht standardet zgjedhore. Në këtë këndvështrim, transparencën e procesit e kemi konsideruar si kusht thelbësor për mbarëvajtjen e tij dhe për një klimë pozitive për zgjedhje. Por do të kërkonim nga ju dhe të gjitha forcat politike mbështetjen pa lëkundje dhe pa mëdyshje të këtij procesi jetik jo vetëm për zgjedhjet por edhe për çështjen e integrimit europian. Në këtë kontekst po ju dërgojmë bashkëlidhur; 1-Listën emërore të votuesve pa pasaportë të cilët kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik 2-Listën emërore të votuesve pa pasaportë të cilët nuk kanë aplikuar ende për letërnjoftimin elektronik. Ju rikonfirmojmë edhe njëherë se sapo ta kemi nga koncensionari listën e votuesve pa pasaportë që kanë tërhequr letërnjoftimin do t’jua vëmë në dispozicion, gjithashtu. Duke kërkuar angazhimin tuaj maksimal, FERDINAND PONI, ZËVENDËSMINISTËR.