Qeveria shqiptare prezantoi të hënën programin për zhvillim të qëndrueshëm deri në vitin 2030, i miratuar pak ditë më parë nga 193 shtetet anëtare të OKB-së, përfshirë edhe Shqipërinë. Ky program historik do të shërbejë si pikënisje për veprim nga bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritë kombëtare për të nxitur prosperitet dhe mirëqenie për të gjithë, në 15 vitet në vijim.

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi në ceremoninë e organizuar në Kryeministri tha se bazimi i rritjes ekonomike te borxhi ka qenë një nga gabimet e Shqipërisë.

Advertisement

“Të bazosh rritjen ekonomike te borxhi, duke injoruar hapësirat e tjera dhe potencialin që ekonomia ka duke luftuar informalitetin, do të thotë të zhvillohesh në mënyrë të paqëndrueshme e të papërgjegjshme. Do të thotë të shesësh një mirëqënie të gënjeshtërt dhe ta transferosh problemin tek brezat që do të vijnë”, theksoi Peleshi.

“Burimet janë të kufizuara dhe kërkohet një planifikim i mirë i tyre” është shprehur numri dy i qeverisë. Duke pranuar gabimet e të shkuarës, Peleshi tha se nuk është planifikuar një zhvillim i qëndrueshëm, duke bazuar rritjen ekonomike dhe përpjekje për të ndërtuar mirëqenien në injorimin e interesave të brezave që pasojnë.

“Kemi bërë gabim në mosplanifikimin e një zhvillimi të qëndrueshëm, duke bazuar rritjen ekonomike dhe përpjekjet për të ndërtuar mirëqenie në injorimin e interesave dhe brezave që pasojnë. Kemi shfrytëzuar në mënyrë të papërgjegjshme burimet, ajo që na bashkon të gjithëve në këtë axhendë për një zhvillim të qëndrueshëm është një fakt: burimet janë të kufizuara. Duke qenë se janë të kufizuara natyrisht që na duhet t’i planifikojmë mirë ato. Shqipëria nuk e ka bërë këtë në të gjitha rastet. Ne kemi keqtrajtuar territorin, mënyra se si jemi sjellë me territorin, si kemi ndërtuar kuturu, pa plan, pa kriter, me leje apo pa leje, sot kemi rreth 400 mijë ndërtime informale në Shqipëri që do të thotë që përgjegjshmëria jonë ka qenë shumë e ulët”, tha Peleshi.

Shqipëria ia ka dalë të jetë faktor paqeje dhe sigurie në rajonin e Ballkanit, duke bashkëpunuar me aleatët dhe duke qenë prej vitesh anëtare e NATO-s.

“Ia kemi dalë të jemi faktor paqeje e sigurie në rajonin e Ballkanit duke bashkëpunuar me aleatët tanë, apo duke qenë prej disa vitesh pjesë e NATO-s, që ka dhënë dhe frutet e veta në të mirë të rajonit tonë të Ballkanit dhe kombit shqiptar në rajon. Partitë politike i kanë dhënë mbështetje paqes dhe stabilitetit në rajon, kanë dhënë mesazhe për paqe për të kontribuar në qetësimin dhe stabilitetin e vendeve ku ata jetojnë”, thekson Peleshi.

Ndërsa ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin theksoi se zhdukja e varfërisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm duhet të jenë të arritshme dhe kërkojnë rritje të përgjegjësisë, një plan të hartuar si dhe një angazhim të besueshëm.

Sipas Vlahutin, integrimi i objektivave për zhvillim të qëndrueshëm në mentalitetin shtetëror është çështja kryesore. Përfshirja e tyre në planin e integrimit në Bashkimin Europian nxitet nga ana jonë, vijoi Vlahutin, në mënyrë që ju të siguroheni që planet të jenë të harmonizuara në përputhje me njëri-tjetrin.

“Zhvillimi i qëndrueshëm është në thelb të bashkëpunimit të BE-së me Shqipërinë që përfshin arsimin, arsimin profesional, menaxhimin e financave publike, punësimin, shtetin ligjor, infrastrukturën, mjedisin, barazinë ligjore, sigurinë ushqimore dhe ujësjellës-kanalizime”, deklaroi Vlahutin, duke siguruar edhe për mbështetjen e BE-së për arritjen e këtyre objektiva në mënyrë që të përmbushë edhe objektivat për integrimin në BE.

Sa i i takon integrimit në BE, ambasadorja Vlahutin tha se integrimi është një nga sfidat më të vështira me të cilën përballet Shqipëria dhe një nga reformat më të rëndësishme. “Ne mirëpresim angazhimin dhe do të jemi me ju në çdo hap që bëni, por askush nuk mund t’i bëjë këto hapa përveç jush. Ju mund t’i bëni këto hapa. Të mos harrojmë se të gjitha këto fjalë kanë vetëm një objektiv, jetë me dinjitet për çdo qytetar pa varfëri dhe plot me drejtësi”, deklaroi Vlahutin.

Kryediplomatja e BE-së në Tiranë, Vlahutin theksoi se BE ka qënë një nga kontribuesit kryesorë për hartimin e objektivave duke financuar 1 miliard euro për arritjen e tyre.

Përfaqësuesja e OKB-së në Shqipëri, Zineb Toumi-Benjelloun siguroi për arritjen e objektivave për zhvillimin e qëndrueshëm, duke u mbështetur tek potenciali që ka Shqipëria si vend kandidat për në BE, plot me burime si dhe nga përpjekja e përbashkët. “Deri në 2030 jemi në gjendje të themi se ja arritëm”, deklaroi ajo.