Raporti i DASH, ambasada e SHBA: E turpshme prania e deputetëve të inkriminuar

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, duke reaguar ndaj raportit të Departamentit të Shtetit mbi trafikun e qënieve njerëzore, ka vlerësuar se dokumenti vë në dukje përpjekjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër trafiqeve.

“Ambasada e SHBA dëshiron të vërë në dukje se raporti vlerëson se qeveria e Shqipërisë bëri përparim të mirë dhe vazhdon të bëjë përpjekje domethënëse për të përmbushur standartet minimale për eleminimin e trafikut”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Advertisement

Në këtë drejtim, ambasada amerikane nxit qeverinë shqiptare që t’i vazhdojë përpjekjet për të luftuar të gjitha format e trafikimit të qënieve njerëzve nëpërmjet: “zbatimit të fortë të ligjit, mbrojtjes efikase të viktimave dhe me politika për parandalimin e trafikimit”.

“Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Shqipërinë për të mbështetur përpjekjet e vazhdueshme kundër trafiqeve”, vijon deklarata.

Por në të njëjtën kohë, ambasada vlerëson si “të turpshëm” faktin që Parlamenti i Shqipërisë ka në radhët e tij një anëtar të dënuar për trafik qëniesh njerëzore.

“Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet e standarte të larta etike dhe jo kriminelë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kërkojnë të gjitha partive politike që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë”, përfundon komunikata.