Berisha: Ligji i turizmit për klientët e Ramës

Ashtu siç pritej, projektligji për turizmin hasi në kundërshtinë e fortë të opozitës në Kuvend. Në seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, Berisha tha se nisma e qeverisë është një ligj klientelist që bie ndesh me Kushtetutën, konventat ndërkombëtare dhe interesat e pronarëve.

Por Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, që është edhe iniciator i këtij projektligji, tha se nisma e qeverisë do t’i japë nxitje investimeve në turizëm.

Gjatë seancës, ish – Kryeministri Berisha akuzoi Ministrin e Brendshëm se përmes ish – Drejtorit Artan Didi ka ka penguar të arrestuarin Julian Sinanaj të japë dëshminë e tij për ngjarjen ku është i implikuar biznesmeni Ilia Karçini, si dhe për faktet e nxjerra nga Sinanaj për atentatin ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi.

Si dëshmi të inkriminimit të parlamentit, Berisha solli raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, që sipas tij, thekson se një deputet shqiptar vazhdon të ushtrojë funksionet e tij, pavarësisht se rezulton i dënuar për trafik të qënieve njerëzore.