PD, kundër testimit të infermierëve: Procesi i organizuar në fshehtësi

Partia Demokratike, përmes deputetit Tritan Shehu ka kritikuar testin e infermierëve të paralajmëruar në ditët e fundit nga qeveria.

“Për habinë e të gjithëve, i ashtuquajturi “testim”, i iniciuar si një mjet seleksioni arbitrar e presioni mbi personelin shëndetësor, u rishfaq përsëri”, ka deklaruar Shehu.

Advertisement

Ai ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë se, “me një komunikim aspak transparent urdhëroi drejtoritë e institucioneve shëndetësore që në periudhën 24 korrik – 2 gusht të kryejnë “testimin” e infermierëve të vendit”.

“Sipas urdhërit në fjalë, ky testim do të fillojë më 24 korrik me infermieret e spitaleve obstetrike-gjinekologjike të Tiranës dhe atij “Shefqet Ndroqi”. Në tërësi, në të gjithë këto veprime është mbajtur një regjim fshehtësie i plotë. Urdhëri i Infermiereve, shërbimet universitare, fakultetet përkatese etj, nuk kanë asnjë njoftim dhe nuk kanë marrë pjesë në përgaditjen përkatëse. Gjithashtu nuk është bërë publik asnjë dokument shpjegues, platformë a pyetsor”, ka deklaruar Shehu.

Sipas tij, qeveria kërkon që ky proces të realizohet pa pritur opinionin e Gjykatës së Lartë ndaj ankesës së Urdhërit të Infermierëve për këtë inisiative.

“Dhe për me tepër, e gjithë kjo kërkon të kryhet pikërisht në këtë periudhë kulminante pushimesh, pra jashtë vëmëndjes së opinionit publik mjekësor”, ka thënë Shehu.

Nga ana tjetër, ka shtuar ai, kjo iniciativë po përsëritet në mënyrë krejt të njëanshme, në një kohë kur në Komisionin Parlamentar e Kuvend dominoi vullneti i përbashkët për ndryshimet e ligjit të edukimit të vazhduar.

“Kështu, tashmë në këtë ligj përfshihet i gjithë personeli shëndetësor, pra dhe infermierët. Në këtë mënyrë, ky vendim bie ndesh edhe me këto ndryshime ligjore, që do të hyjnë në fuqi pas pak ditësh, pavarësisht vendimit të kaluar të Gjykatës Aministrative”, ka nënvizuar shehu.

Në këto kushte, në emër të PD deputeti ka kërkuar anullimin e këtij “testimi”, pritjen e hyrjes në fuqi të ndryshimeve të fundit ligjore, si dhe përcaktimin më tej të një procedure të qartë e të plotë për edukimin e vazhdueshëm të infermiereve, në baze të së cilës duhet te procedohet.