Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua paraditen e sotme me Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schulz, i cili nga dje ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.
Pas takimit kreu i opozitës tha se me Presidentin Schulz diskutoi për tre sfida të mëdha ekzistenciale për vendin krimin, korrupsionin dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.
“Me Presidentin e PE-së ndamë pikpamjen se një angazhim konstruktiv i palëve do të ishte rruga e duhur për të zgjidhur këto probleme ekzistenciale. E sigurova z. Schulz se Partia Demokratike është e angazhuar që të ecë përpara, duke nisur me dekriminalizimin. Nuk mund të ketë integrim të vendit me deputetë dhe kryebashkiakë kriminelë”, u shpreh Basha.
Problem tjetër i diskutuar mes Bashës dhe Kreu të PE-së ishte ai i zgjedhjeve të lira e të ndershme. “Kërkova ndihmën e z. Schulz që në bazë të raporteve fillestare të OSBE/ODIHR-t të kthejmë në vëmendje të institucioneve europiane domosdoshmërinë për standarde zgjedhore, të cilat u shkatërruan nga dyshja në qeverisje Rama-Meta”, tha Basha.