Lezhë, Kryemadhi: Denoncim në Prokurori për gjetjen e 40 fletëve të votimit

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, informoi sot se do të bëjë një denoncim në Prokurori lidhur me gjetjen e 40 fletëve më tepër mbi numrin e zgjedhësve, në kutinë e votimit 720 të komunës Kolsh, në Lezhë.

Në një prononcim për media, Kryemadhi theksoi se “në kutinë 720 të Komunës Kolsh janë gjetur 40 fletë votimi mbi numrin e njerëzve që kanë marrë pjesë në votime. Sigurisht që kjo është një gjë shumë e rëndë që ka ndodhur, është një cenim i procesit zgjedhor. Është një deformim i votës së qytetarëve. Ne do të bëjmë denoncim në Prokurori për 7 komisionerët qofshin ata të PS-së, LSI-së dhe PD-së, si dhe ftoj edhe kolegët e PD-së të bëjnë të njëjtën gjë sepse mendoj t’i japim fund procesit të deformimit të votës që i bëhet qytetarit”.

Advertisement

Nuk kam dyshimin më të vogël, vijoi ajo, që do t’i shkojmë deri në fund dhe mendoj se ka ardhur koha që shqiptarët të jenë të vetëdijshëm dhe europianë edhe në këtë proces zgjedhor dhe jo vetëm në të veshur.

“Ndërkohë u është thënë të gjithë numëruesve tanë dhe përfaqësuesve tanë në KZAZ që të jenë shumë të vëmendshëm për mosbllokimin e procesit zgjedhor, por për verifikimin e çdo parregullsie, sepse është shumë e rëndë që në një kuti votimi të gjenden 40 fletë votimi mbi numrin e zgjedhësve. 40 fletë votimi nuk është gabim njerëzor, por është një dorë e fshehtë që i ka futur”, përfundoi Kryemadhi.