Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë në mbylljen e fushatës elektorale në Devoll.
Basha kërkoi votat për kandidatin e PD, Bledion Nallbati dhe Partinë Demokratike për të ndalur të keqen dhe babëzinë qeveritare e cila ka arritur deri aty sa të vjellë dhe lekët e kompensimit të ilaçeve për të sëmurët. Asnjë investim në shërbim të qytetarëve, asnjë vend të ri pune s’kanë hapur, asnjë shkollë e re dhe buxhetit të shtetit i mungojnë 150 milionë dollarë në 5 muaj.
“A e dini që vetëm në 5 muaj ju mungojnë 150 milionë dollarë në dogana e tatime? Po ku janë taksat? Pse nuk janë në arkën tonë të përbashkët, pse nuk kthehen në shkolla, kopshte, çerdhe, në rrugë, pse nuk kthehen në subvencione për bujqësinë, siç patën premtuar, pse nuk kthehen në rritje rrogash e pensionesh, siç patën premtuar, pse nuk kthehen në vende pune, siç patën premtuar? Sepse janë kthyer dhe kthehen në vila, kështjella, hotele dhe luks për oligarkinë” – theksoi zoti Basha.
Në 21 qershor, tha Basha me votën e bashkuar, të majtë e të djathtë do t’i kthejmë vendit shpresën, do të miratojmë ofertën e re që u jep zgjidhje problemeve të qytetarëve, ulje taksash, ulje të çmimit të energjisë, falje të kamatë-vonesave, mbështetje për bizneset që hapin vende pune, etj.
“Se me votën tuaj, ne do të bëjmë realitet premtimet tona, ne do të ulim me 25% çmimin e energjisë, do të falim kamatë-vonesat, ne do të ulim taksat kombëtare, do të ulim çmimin e naftës me 240 lekë për litër, taksë shtesë që shtoi Edi Rama”, shtoi ai.
Basha theksoi se “familjeve të pamundura shqiptare u them sot se zgjidhja e problemeve tuaja kërkon punë e përkushtim, por se me votën tuaj ne do ta nisim duke i bërë më të lira ushqimet e shportës për ju, për të bërë më të mundur mbylljen e ditës, mbylljen e muajit për ju”.
“Nuk do të ndalemi këtu. Do të heqim taksat për bizneset që punësojnë të rinj, do të ulim taksat për sipërmarrjen që punëson, do të ulim taksat mbi të ardhurat personale për të rikthyer punën, punësimin dhe paga dinjitoze, në qendër të vëmendjes sonë” – deklaroi Basha.