Basha: Rama-Meta nuk e ndalin dot vullnetin e zgjedhësve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi takime elektorale në Pukë dhe Dajç. Në panikun e humbjes së zgjedhjeve, zoti Basha ka theksuar se dyshja Rama-Meta kanë nisur presionin ndaj votuesve dhe përpjekjet për manipulimin dhe blerjen e votave.
Por, zoti Basha deklaroi se fatin e kësaj beteje nuk e vendosin as kërcënimet e Edi Ramës, as paratë e pista të krimit, e vendos shpirti i lirë i njerëzve të lirë, e vendos trimëria dhe kurajo civile e qytetarëve e shqiptarë, e vendos gjykimi i urtë i shqiptarëve.
“Rama-Meta dhe makineria e tyre nuk kanë lënë gjë pa bërë, që të mpijnë, të lodhin padurimin tuaj, vendosmërinë tuaj për të folur me votë në 21 Qershor. Nuk kanë lënë gur pa lëvizur, me shantazhe, me sondazhe, me pazare, me kërcënime, me diversione. Kanë bërë gjithçka në këto 6 javë të fushatës, por nuk ia kanë dalë dot. Nuk ia kanë dalë dot as ta trembin, as të na kërcënojnë, as ta ndalin vullnetin tuaj”, tha Basha.
“Erdhën në pushtet, rritën taksat kur kishin premtuar uljen e tyre, rritën çmimin e energjisë, kur kishin premtuar uljen e tij, rritën kërbaçin mbi kokën e popullit dhe tani i gënjen mendja se kur në fakt bënë të kundërtën e asaj për të cilën ishin votuar, se mund të injorojnë votën popullore të 21 qershorit. U them sot nga Puka se vota e popullit është ligj dhe ligji do të zbatohet menjëherë, për uljen e taksave, për uljen e çmimit të energjisë, për faljen e kamatë-vonesave. Ky është ligji që ju ftoj ta votojmë dhe vulosim së bashku në 21 qershor”, shtoi Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike ftoi shqiptarët të votojnë në 21 qershor ofertën e PD për uljen e çmimit të energjisë me 25%, për faljen e kamatë-vonesave, për uljen e taksave në nivelin më të ulët në Ballkan, për rritjen e rrogave dhe pensioneve, për futjen në listën e ndihmës ekonomike të gjithë atyre të hequrve me të padrejtë dhe çdo kujt që e meriton.

Advertisement