Pastrimi i parave nga Francesco Becchetit e ka zanafillën në konçesionin e papërfunduar ndonjëherë për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit.
Prokuroria ka zbardhur skemën se si sipërmarrësi italian arriti t’i zhvasë miliona euro bankës gjermane, Deutsche Bank me ndihmën e mamasë së tij.
Pas prishjes së kontratës me gjigandin italian të energjisë, ENEL, Francesco Beccheti futi në lojën e ndërtimit të hidrocentralit bankën gjermane, Deutsche Bank. Me kompaninë e tij “Beg s.p.a” ai krijoi në Itali me Deutsche Bank kompaninë “Hydro srl”, në të cilën 55% i kishte “Beg” dhe 45% “Deutsche Bank”.
Në Shqipëri ata krijuan kompaninë “Kalivaçi Green Energy” ose KGE, e cila ishte 100% në pronësi të “Hydro srl”.
Thënë më thjeshtë, të bashkimit ndërmjet “Beg” dhe “Deutsche Bank”. Kapitali fillestar për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit ishte 150 milionë euro të BEG dhe Deutsche Bank.
Hydro srl, sipas marrëveshjes me qeverinë shqiptare, duhej të kontraktonte një shoqëri me eksperiencë në ndërtimin e hidrocentraleve dhe lidhi kontratën me kompaninë “General Contractor”.
Por kjo e fundit u tërhoq pasi KGE nuk arriti të sigurojë kontratën konçesionare me kompaninë italiane SACE, sipas kushtit në kontratë.
Pasi ka larguar General Contractor, Francesco Beccheti fut në lojë mamanë e tij.
KGE lidh një kontratë me shoqërinë “Energji” për kryerjen e disa punimeve, të konsideruara përgatitore.
Këtu, sipas Prokurorisë, nis edhe zbatimi praktik i skemës së dyshuar të pastrimit të parave.
Shoqёria “Energji” zotёrohet 20 % nga Mauro De Renzis dhe 80% nga shoqёria italiane “Construcione”, e cila nga ana e saj zotёrohet nё masёn 99.5 % nga nëna e Francesko Becchetit, Liliana Condomiti.
Drejtoria e Tatimpaguesve të mëdhenj në vitin 2014 zbuloi se vlera e punimeve të shitura shoqërisë “KGE” nga shoqëria “Energji” është deri 23 herë me e lartë se vlera e punimeve që kjo kompani blinte nga nënktotraktorët.
Thënë më thjesht, “Energji” e nënës së Becchetit i shiste kompanisë që Beccheti kishte me Deutsche Bank me çmime disa herë më të larta punimet që kryenin nënkontraktorët. I dëmtuari nga kjo manovër ishte Deutsche Bank.
Nga një akt ekspertimi kontabël rezultoi se shoqёria “Energji” ka rritur çmimet e punimeve dhe ka shitur punime tё cilat nuk i ka blerё fare.
Fitimi mendohet të jetë rreth 16 milionë euro.
Në vitin 2013, mes koncensionarit “KGE” dhe kontraktorit “Energji” të mamasë së Becchetit krijohet një situatë konfliktuale, për shkak se kontraktori pretendon se nuk është paguar plotësisht për punimet e kryera.
Për këtë arsye, kompanitë i drejtohen gjykatës së arbitrazhit në Shqipëri, një shoqëri private e licensuar për ndërmjetësim dhe arbitrazh.
Në përfundim të këtij gjykimi arbitrazhi, kontraktori “Energji” fiton miliona euro. (Sipas vendimit të arbitrazhit, palët në konflikt ranë dakord që koncensionari KGE do t’i jepte kontraktorit “Energji” shumën prej 50 milionë euro. Në fakt, nga kjo shumë, ka rezultuar se janë kaluar nga “KGE” në favor të “Energji” 20 milionë euro).
Nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës rezulton se dokumentacioni i paraqitur në Gjykatën e Arbitrazhit është i falsifikuar dhe duket qartë se dy shoqëritë, pra “KGE” dhe “Energji” kanë krijuar një situatë të paqenë konfliktuale për të lëvizur shuma të mëdha parash në mënyrë të paligjshme.
Gjithashtu, ky konflikt fiktiv ndërmjet “KGE” dhe “Energji” është përdorur për të fshehur një konflikt real që kishte “Beg” e Becchetit me partnerin në konçension, “Deutsche Bank”. Në bazë të konfliktit fiktiv dhe gjykimit të arbitrazhit fiktiv, paratë e përbashkëta të partnerëve të koncensionarit i kaluan kontraktorit “Energji”. Praktikisht, ky konflikt fiktiv duket se ka nxjerrë të humbur vetëm partnerin konçensionar “Deutsche Bank”, thuhet në hetimin e Prokurorisë.
Ky dyshim forcohet më tej nga fakti se kompania “Energji”, pasi mori miliona euro nga “KGE”, një pjesë të tyre i kaloi në llogari bankare dhe një pjesë tjetër i investoi në kompanitë e regjistruara në Shqipëri “400 KV” “Fuqi” dhe “Cable System”, që janë në pronësi të nënës së Becchetit, Mauro de Renzit dhe Erjona Troplinit.
Hetimet zbuluan se 9 shtetas shqiptarë janë ortakë apo administratorë të kompanive që Francesco Beccheti ka në Shqipëri, 5 prej të cilave janë vënë nën sekuestro. Por vetëm dy prej tyre janë nën akuzë, Erjona Troplini dhe Pranvera Gjika, drejtuese e një banke të nivelit të dytë.
Të gjitha kompanitë e Becchetit, për të cilat Gjykata vendosi sekuestrimin, do të administrohen nga Agjesia e Administrimit të Aseteve të Aekuestruara.
Sipas vendimit administrimi do kryehet deri në momentin që do të këtë një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit se çfarë do të ndodhë me investimet e Becchetit në vendin tonë.
Deri në një vendim nga Gjykta e Apelit, Agon Channel dhe katër kompanitë e tjera do të jenë në administrim të shtetit shqiptar.