Bashkimi Evropian bën thirrje për depolitizim të administratës publike, për ruajtjen e pavarësise, transparencës, efikasitetit dhe besueshmërisë së gjyqësorit si dhe për forcimin e luftës kundër korrupsionit që është pritoritet kryesor i Bashkimit Europian. “Bashkimi Europian bën të ditur se korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur dhe mbetet një problem serioz në Shqipëri. Edhe koordinimi në luftën kundër korrupsionit mbetet i dobët dhe duhet të forcohet”, theksojnë në deklaratën e tyre të përbashkët për arritjet e kryera nga Shqipëria, anëtaret e 27 vendeve të BE-së. Në lidhje me liberalizimin e vizave, deklarata e përbashkët thekson se Shqipëria ka bërë progres, por duhen më shumë përpjekje për të përmbushur kriteret e udhërrëfyesit. Në lidhje me këtë cështje, Komisioni Evropian u shpërndau vendeve anëtare gjatë pasdites një raport paraprak mbi ecurinë e vendeve të rajonit për kriteret e udhërrëfyesit për heqjen e regjimit të vizave. Në lidhje me zgjedhjet, Këshilli përsërit rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në deklaratën e lëshuar në Bruksel, Bashkimi Europian bëri thirrje për rëndësinë e forcimit të dialogut politik mes partive politike kryesore në vend. BE kërkoi nëpërmjet deklaratës se Shqipëria duhet të përpilojë një listë të besueshme votuesish, të lehtësoje procesin e pajisjes së votuesve me karta identiteti për ata që nuk kanë pasaporta, përpara se të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme në vend. Në këtë deklaratë të lëshuar nga Bashkimi Europian thuhet gjithashtu se në Shqipëri duhet të forcohet dhe të mbahet një klimë politike pozitive në vend me konsensus të gjërë që i jep mundësi cuarjes përpara të reformave si dhe implementimit të legjislacionit dhe forcimit të kapaciteteve administrative në vend. Ndërsa Shqipëria para pak kohësh aplikoi ne BE për statusin e kandidatit për një vend në bllokun europian, sipas Brukselit, Shqipëria nuk pritet të marrë anëtarësimin deri në vitin 2015 në rast se nuk plotëson reformat e lartpërmendura. Bashkimi Europian dhe Shqipëria përfunduan marrëveshjen e Associm Stabilizimit, që konsiderohet si hapi i parë drejt anëtarësimit në BE.