Kryetari i PD-së Lulzim Basha u takua me banorë të Petrelës dhe Vorës.
Mungesa e mbështetjes dhe subvencioneve për bujqësinë, rritja e çmimit të energjisë dhe fuqisë blerëse kanë qenë shqetësimet që banorët e Petrelës i kanë shprehur kryetarit të opozitës.
Zoti Basha theksoi në fjalën e tij se dyshja Rama-Meta, jo vetëm nuk mbajtën premtimet e dhëna dy vite më parë, por votuan kundër dhe propozimeve të Partisë Demokratike për t’u ardhur në ndihmë fermerëve.
Lideri i opozitës Lulzim Basha u ka kërkuar qytetarëve që ditën e votimit të kujtojnë premtimet e pambajtura të Edi Ramës dhe Ilir Metës, mungesës së përpjekjeve për të bërë diçka për hallet dhe problemet e qytetarëve dhe të vlerësojnë ofertën e PD nëse ajo është e duhur për të futur në rrugën e zgjidhjes problemet me të cilat ndeshen qytetarët sot.
“Në 21 qershor, unë kërkoj që gjithsecili prej jush të mbajë mend tre gjëra. Nëse këta i mbajtën premtimet e para dy viteve apo jo? Nëse këta bënë diçka për t’i mbajtur premtimet apo jo? Dhe së treti, të vlerësoje nëse për ju, platforma ime funksionon dhe kjo është platforma e uljes së taksave, kjo është platforma e uljes së çmimit të energjisë dhe e faljes së kamatë-vonesave për të gjithë shqiptarët, kjo është platforma e rritjes së rrogave dhe pensioneve, kjo është platforma e subvencioneve për bujqësinë, e uljes së çmimit të naftës. Në 21 qershor, me votën tuaj ju do të mund të arrini atë që opozita nuk arriti dot në parlament, sepse këta kishin kartonat”