Basha: Ulje taksash në nivelin më të ulët në Ballkan, taksë e sheshtë 9%

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijoi turin e bashkëbisedimit me të rinjtë e Fierit ku sërish ka folur për situatën ekonomike që po kalon vendi.
Kryetari i PD theksoi se opozita  u ka dhënë  alternativat dhe mundësitë e daljes nga kjo situatë përmes amendamenteve por ata i votuan kundër, pasi për ta punësimi dhe dalja na varfëria nuk është prioritet.
“Ne u dhamë rrugëzgjidhjet tona, rrugëzgjidhjet e halleve tuaja, sepse hallet tuaja janë prioriteti ynë dhe ata i votuan kundër. I çuam propozimin, hiq tvsh për miellin, orizin, sheqerin, vajin.  E votuan kundër. Ule çmimin e energjisë me 14% të TVSH, siç premtove në fushatë, votoje amendamentin! Votuan kundër. Ule çmimin e naftës, e votuan kundër. Për  ta prioritet nuk është punësimi, nuk është varfëria”
Dyshja Rama Meta, theksoi zoti Basha nuk ka mbajtur asnjë premtim. Premtoi 300 mije vende pune, mbylli mijëra vende pune, premtoi ulje çmimesh, solli rritje çmimesh, premtoi ulje taksash, solli rritje te tyre. Në katër muaj, theksoi zoti Basha, në buxhetin e shtetit mungojnë 45 milionë dollarë.  Kryetari i PD, Lulzim Basha ka shpalosur platformën e demokratëve për taksa të ulëta, ulje të çmimit të energjisë dhe karburantit, eliminimin e tvsh për mallrat e shportës etj.
Kryetari i PD, Lulzim Basha theksoi se projekti i Partisë Demokratike parashikon 9% taksë të sheshtë.  Me këtë taksë, qytetarët do të paguajnë më pak, tha zoti Basha dhe do të kursejnë më shumë.
Kandidati për kryetar i Bashkisë së Fierit, Enkelejd Alibeaj duke iu përgjigjur interesit të të rinjve për parkingjet me pagesë ka theksuar se vendimi i parë i tij si kryetar bashkie do të jetë anulimi i tij.

Advertisement