Ndahet nga jeta B.B. King, mbreti i bluzit

Kitaristi i bluzit, BB King, i konsideruar si mbreti i kësaj gjinie të muzikës, u nda nga jeta në Los Anxheles në moshën 89-vjeçare, njoftoi dje në mbrëmje vonë gazeta ”LA Times” duke cituar avokatin e tij.
B.B. kishte qenë në spital gjatë javëve të kaluara, në ndërkohë që kishte luftuar kundër diabetit për disa vjet.
Në faqen e tij në Facebook ishte një mesazh ku falenderoheshin të gjithë simpatizantët për mbështetjen ndaj muzikantit të rrallë.
Për gjysmë shekulli, zëri i fuqishëm i B.B. Kingut dhe kitara e tij ”Lucille” përcaktuan bluzin.
Kënga që B.B. King do të kujtohet përherë mbetet ajo e viteve ’60 me titull ”The Thrill is Gone”.
Mbretëresha Elizabeth II e Anglisë e ka ftuar në mbrëmjet që organizoheshin në pallatin e saj.
Mbreti i Suedisë, Carl Gustaf XVI i dha çmimin ”Polar Music”.
Në vitin 2012, ai luajti në Shtëpinë e Bardhë për presidentin, Barack Obama, ku kënduan së bashku ”Sweet Home Chicago”.

Advertisement