Tiranë – Një i dyshuar për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi

Dëshmitë e marra nga më shumë se 300 persona nga qyteza e Roskovecit, fshatrat përreth dhe nga qyteti i Fierit, kanë nxjerrë në skenë një emër të dyshuari, por që mbahet top-sekret. Bëhet fjalë për një person me moshë që varion nga 35 deri në 40 vjeç dhe që është nga Fieri. Policia ka siguruar dje foton e të dyshuarit dhe më pas ia ka dhënë Interpolit i cili ua ka dërguar homologëve të tij në Europë. Ky person, që mbetet në kufijtë e anonimatit, është i vetmi që nuk është marrë në pyetje. Një ditë pas vrasjes së Xhindit, ai është larguar dhe nuk është kthyer më në banesën e tij. Nisur nga të dhënat e dala nga hetimet, dje policia ka shkuar në banesën e të dyshuarit dhe i ka marrë familjarëve foton e tij. Kjo foto u është dërguar gjithë komisariateve të policisë në vendin tonë dhe pikave kufitare Hetuesit nuk japin gjenealitetet e të dyshuarit, as vendin se ku banon. Kjo, për shkak të ruajtjes së sekretit hetimore, me qëllim arrestimin e të dyshuarit për vrasjen e Fatmir Xhindit.

Advertisement