Veliaj: Njësia 5, frymëzim për zgjedhjet e 21 Qershorit

Në krah të deputetit Pandeli Majko, kandidati i mazhorancës Erion Veliaj, ka zhvilluar një takim me banorët e njësisë 5 në kryeqytet.

Në fjalën e tij, Majko shpjegoi dhe arsyen se pse i dha teserën e Partisë Socialiste, Erion Veliajt.

Advertisement

“Ditën që i dhashë teserën, pati shumë njerëz që më thanë se bëra gabim, pasi Veliaj na kishte rrëzuar nga pushteti. Unë iu përgjigja se kur në vitin 1991 trokita në PS, vija nga lëvizja studentore. Ishte pikërisht lëvizja që kishte përmbysur regjimin komunist, por në fund të fundit thelbin e vet kishte partinë në dyert e së cilës unë trokita”, tha Majko.

Nga ana e tij, kandidati i mazhorancës risolli në kujtesë zgjedhjet e vitit 2011 dhe pikërisht njësinë 5, e cila, sipas tij, duhet të shërbejë si frymëzim për zgjedhjet e 21 Qershorit.

“Katër vite më parë, kjo ka qenë njësia që u bë e famshme në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Të gjithë e mbajnë mend numërimin e orëve të fundit dhe gëzimin e fitores. Gëzimin e fitores në një fushatë të paprecedentë, ku shumë persona u tranferuan si votues në Tiranë për të kthyer rezultatin. Ta pranojmë, ne u poshtëruam në vitin 2011 dhe u vodhëm. Unë e kam ende shijen e keqe që më la mënyra e ndyrë se si fitorja u çua diku tjetër. Ne do të tregojmë se Aleanca për Shqipërinë Europiane rrëzohet, por di të ngrihet në këmbë”, tha Veliaj.