“Nuk e solla unë kandidatin sepse atë e gjeta mes jush”.
Kështu e ka nisur Lulzim Basha prezantimin e kandidatit të opozitës për Bashkinë e Vlorës, Genc Deromena, i cili në këto zgjedhje do të jetë përballë kandidatit të PS-së, mjekut nga Vlora Dritan Leli.
Kreu i opozitës nuk la pa përmendur edhe njëherë arsyet se pse shqiptarët po e braktisin vendin.
“Arroganca, arbitrariteti, paligjshmëria, mjerimi, skamja dhe papunësia janë arsyet e eksodit më të fuqishëm të shqiptarëve”, tha Basha.
Sipas kreut të PD-së, të gjitha këto janë tregues se qeveria e ka lëshuar timonin pa duar, ndërsa për vetë është zhytur në luks të shfrenuar.
“Kurrë nuk ka qenë hendeku më i madh midis qytetarëve që vuajnë për bukën e gojës, midis qytetarëve që vuajnë për një vend pune dhe atyre që janë kredhur në luks majë sarajeve të tyre. Mbushin xhepat ndërkohë që populli vuan e rënkon, qeveritarët fërkojnë duart kur qytetarët largohen me mendiin se ju ikën votat kundër e nga ana tjetër iu bëjnë presion botës se shiko cfarë bëjmë ne.”
Basha tha se “Kokëdhimës nuk i mjaftojnë sarajet që ka, por i duhen dhe ato të Vlorës”.
“Ju bëj thirrje të gjithë atyre qytetarëve, të cilët janë lodhur nga kjo keqqeverisje, nga kjo ekonomi e dobët, për t’i besuar votën Partisë Demokratike”.