Kryeministri Edi Rama merr pjesë sot në Samitin për Ballkanin që zhvillohet në Bruksel, organizuar nga Komisioni Europian.
Kryeministri Rama ka patur një mëngjes pune me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Hashim Thaci.
Në këtë takim është diskutuar për projektet e përbashkëta mes dy vendeve dhe projektet nga të cilat Shqipëria dhe Kosova do të përfitojnë si rezultat i procesit të nisur në Berlin nën udhëheqjen e Kancelares Merkel.
Kryeministri Rama është takuar edhe me Kryeministrin e Malit të Zi, Gjukanovic, me të cilin ka diskutuar rreth projektit të autostradës Adriatiko Joniane, projekt që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Greqinë.
Dy Kryeministrat diskutuan edhe mbi projekte të përbashkëta ne fushën e turizmit, sidomos në zonën e liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna.
Kryeministri Rama është takuar edhe me Komisioneren për Politikën e Jashtme Mogherini, me të cilën ka diskutuar të ardhmen europiane të vendit tonë si edhe punën e qeverisë shqiptare dhe reformat e ndërmarra për të përmbushur 5 prioritetet që e afrojnë Shqipërinë edhe më shumë me Bashkimin Europian.
Kryeministri Rama pritet të takohet gjatë ditës edhe me Kryeministrin serb Vucic dhe kryeministrat e tjerë të rajonit.